Hidhet shorti për fletën e votimit, PD e renditur në vend të 9, PS e 12-ta

Shqipëria

Hidhet shorti për fletën e votimit, PD e renditur në vend të 9, PS e 12-ta

Më: 18 mars 2021 Në ora: 17:12
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur sot shortin për renditjen e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Shorti me gogla përcaktoi se në krye të fletës së votimit do të jetë Partia Social Demokrate e drejtuar nga Tom Doshi.

Në vend të dytë do të jetë e renditur Partia Balli Kombëtar, më pas vjen Lëvizja Demokratike Shqiptare, Bindja Demokratike, etj.

Shorti ka përcaktuar që Partia Demokratike dhe aleatët e koalicionit të saj do të renditet në vendin e 9 ndërsa Partia Socialiste do të jetë në vendin e 12.

Kurse Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë e 6- në renditjen e fletës së votimit.

Nisma Thurje, e cila garon për herë të parë në zgjedhje do të jetë e renditur në pozicionin e 7.

Ndërkohë që KQZ ka përcaktuar sot se si do të jetë renditja e partive garuese në zgjedhjet e 25 prillit, ende nuk është vendosur se cili do të jetë modeli i fletës së votimit.

Në diskutim mbeten dy alternativa, ku nga një anë do të jenë të listuara partitë dhe në krah do të ketë numrat përkatës për secilin kandidat për deputet.

Alternative tjetër është që krahas emrave të partive politike, në fletën e votimit të jenë të shënuara edhe emrat e kandidatëve për deputetë për secilin koalicion apo forcë politike.

Renditja në fletën e votimit:

Partia Social Demokrate

Partia Balli Kombëtar

Lëvizja Demokratike Shqiptare

Bindja Demokratike

ABEOK (koalicion)

Lëvizja Socialiste për Integrim

Nisma Thurje

Partia Lëvizja e RE

Partia Demokratike + aleatët

Aleanca Demokratike e Re

Lëvizja për Ndryshim

Partia Socialiste

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat