Nëna e 11 fëmijëve/ Motra e 61-vjeçares pa të ndjerën teksa ra nën presë

Shqipëria

Nëna e 11 fëmijëve/ Motra e 61-vjeçares pa të ndjerën teksa ra nën presë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 11:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në landfilldin e Bushatit në Bashkinë Vau i Dejës. Një 61-vjeçare ka humbur jetën në mënyrë aksidentale teksa po punonte aty.

 Kishte shkuar si çdo ditë për të punuar, por Katrinë Binaku, nëna e 11 fëmijëve, humbi jetën teksa po punonte në landfilldin e Bushatit. 61-vjeçarja ndodhej bashkë me motrën e saj duke punuar, por në mënyrë ende të paqartë gjatë punës së saj në diferencimin e mbetjeve ka hipur mbi presë, një makineri në landfilld duke marrë goditje në pjesën e kolonës. Po ashtu, mbetet e paqartë se si 61-vjeçarja ka ndezur makinerinë, e cila punon në mënyrë automatike.

Fillimisht ka qenë motra e saj ajo e cila e ka parë shtetasen Katrinë Binaku nën presë dhe menjëherë ka lajmëruar personat e tjerë që punonin në landfilld, bashkë me drejtuesit. Menjëherë është njoftuar një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës, e cila ka mbërritur me shpejtësi, por gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Shkodrës, gruaja ka ndërruar jetë.

Sipas Policisë, Katrinë Binaku rezulton se është punonjëse në landfilldin e Bushatit dhe është dëmtuar në mënyrë aksidentale. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Ndërkohë mësohet se viktima është banuese në fshatin Paçram të Bashkisë Vau i Dejës dhe kishte rreth 7-8 vite që punonte në landfilld bashkë me motrën e saj. Katrinë Binaku është nënë e 11 fëmijëve, ndërsa banorë të fshatit ku ajo banon janë shprehur se gjendja e ekonomike e familjes së saj nuk është shumë e mirë.

Në landfilldin e Bushatit pjesa më e madhe e makinerive janë automatike dhe vihen në punë në bazë të komandave. Deri më tani nuk ka pasur raste të humbjes së jetës në mënyrë aksidentale të punonjësve përveç kësaj ngjarjeje të fundit.

Administratori: U munduam ta shpëtojmë

Administratori i landfillit të Bushatit, Agron Ceka, bashkë me disa punonjës të tjerë që kanë qenë në orarin e punës pas ngjarje së rëndë, kanë dhënë dëshminë e tyre në postën e Policisë në Njësinë Barbullush. Administratori Ceka ka treguar për Policinë se gjatë orëve të paradites ai ka komunikuar me shtetasen Katrinë Binaku, duke e pyetur se si po shkonte dhe nëse kishte nevojë për ndonjë gjë. Ky ka qenë një komunikim normal ashtu si çdo ditë me punonjësit.

Në atë moment të kësaj bisede e pranishme ka qenë edhe motra e 61-vjeçares, ndërsa administratori i ka treguar Policisë se kanë njoftuar menjëherë ambulancën dhe janë munduar që ta transportojnë vetë deri në një pjesë të rrugës për të shpejtuar, por 61-vjeçarja nuk ka arritur që të shpëtojë.

“Paradite pashë dy motrat duke punuar dhe ashtu si zakonisht i përshëndeta dhe i pyeta nëse kanë nevojë për ndonjë gjë, bisedë e cila është e zakonshme mes meje dhe punonjësve, duke marrë parasysh edhe lodhjen që kanë apo moshën e tyre. Më pas jam larguar për të vijuar punën time. Ndërsa ndodhesha në landfilld ka qenë ora afërsisht 10:00 kur kam dëgjuar motrën e Katrinës duke bërtitur me të madhe. Kam dalë me shumë shpejtësi unë dhe disa punonjës të tjerë dhe kemi konstatuar se punonjësja jonë ishte aksidentuar te presa, një makineri që është aty dhe punon në mënyrë automatike. E kemi fikur menjëherë dhe jemi munduar që ta nxjerrim nga ajo makineri. Konstatuam se punonjësja kishte marrë goditje në pjesën e kolonës dhe ishte dëmtuar rëndë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë duke bërë maksimumin për ta shpëtuar. Menjëherë ka ardhur edhe një ambulancë, të cilën e kemi hasur rrugës dhe i kemi bërë me shenjë duke e futur menjëherë në mjetin e ambulancës. Fatkeqësisht, punonjësja ende pa mbërritur në spital ka ndërruar jetë. Nuk e kam idenë se si ka përfunduar nën makinerinë, e cila e ka zënë brenda”, mësohet se ka deklaruar administratori i landfilldit të Bushatit, Agron Ceka.

Njoftimi i Policisë 

Më datë 25.03.2021, rreth orës 10:30, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër ka mbërritur pa shenja jete shtetasja K. B., 61 vjeçe, banuese në fshatin Paçram, Vau i Dejës. Nga verifikimet paraprake rezulton se është punonjëse në landfilldin e Bushatit dhe është dëmtuar aksidentalisht në punë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat