Vetingu, KPK konfirmon prokuroren Imeraj nën dyshimet e forta të ONM

Shqipëria

Vetingu, KPK konfirmon prokuroren Imeraj nën dyshimet e forta të ONM

Më: 1 prill 2021 Në ora: 19:03
KPK

Në Shqipëri, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj. Komisioni kishte vlerësuar pozitivisht prokuroren në të trija kriteret, si atë profesional, të integritetit të figurës dhe atë që lidhej me pasuritë e deklaruara prej saj. Por në seancën e fundit para shpalljes së vendimit, Prokurorja Imeraj u përball me dyshime të forta të hedhura nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, (ONM) Theo Jacobs.

Të dy shkëmbyen replika të ashpra për thuajse 5 orë gjatë së cilave zoti Jacobs, ngriti pikëpyetje jo vetëm mbi aspekte që lidheshin me pasurinë, por lëshoi akuza të rënda ndaj prokurores për shantazhim të anëtarëve të Komisionit, apo përgjime të paligjshme ndaj një tjetër vëzhguesi ndërkombëtar, me qëllim, sipas tij, ndikimin në procesin që po zhvillohej ndaj saj.

Zonja Imeraj, një prokurore me karrierë të gjatë, i rrëzoi në mënyrë kategorike pretendimet e ngritura nga zoti Jacobs, të cilat me gjasë mund të çojnë në një rekomandim të ONM-së për të ankimuar vendimin e sotëm të Komisionit.

Javën e shkuar zonja Imeraj u konfirmua për tre vitet e ardhshme, në krye të Prokurorisë së Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili kishte kryer një proces paralel rivlerësimi, kompetencë të cilën, Këshilli ja ka njohur vetes që prej vjeshtës së vitit të kaluar, kur ndërhyri për të ndryshuar rregulloren për rekrutimin dhe karrierën e prokurorëve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat