Shtyrja e kartave të identitetit, 500 mijë qytetarëve u skaduan dokumentet, do votojnë

Shqipëria

Shtyrja e kartave të identitetit, 500 mijë qytetarëve u skaduan dokumentet, do votojnë

Më: 12 prill 2021 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar aktin normativ të qeverisë për shtyrjen me pesë ditë të afatit të letërnjoftimeve elektronike për rreth 500 mijë qytetarë të cilëve u ka skaduar ky dokument.

Akti normativ i qeverisë u hartua pasi ky numër i konsiderueshëm qytetarësh rrezikonte të përjashtohej nga votimi në zgjedhjet parlamentare.

Ministri i brendshëm në detyre Besfort Lamallari, tha se vlefshmëria e dokumenteve të skaduara do të jetë deri në 30 prill 2021.

“Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit të shtetasve shqiptarë që përfundon deri në 25 prill 2021 zgjatet deri në datën 30 prill 2021. Sigurisht qëllimi i këtij akti normativ lidhet me mundësinë e ushtrimit të së drejtës kushtetuese ndaj të gjithë atyre shtetasve shqiptarë të cilët aktualisht nuk disponojnë një dokument të vlefshëm identifikimi për të votuar,” tha ai.

Akti normative i qeverisë kaloi në komisionin e ligjeve dhe do të dërgohet për votim në seancë plenare pasi procedura kërkon miratimin e tij nga parlamenti.

Përdorimi i dokumenteve të skaduara në zgjedhjet e 25 prillit ka ngjallur shqetësimin e opozitës pasi Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama se po e shfrytëzon këtë situatë për të favorizuar votuesit socialistë.

“Këtë shqetësim e ka ngritur në fakt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me një shkresë drejtuar autoriteteve të qeverisë shqiptare dhe po ashtu me një subjekt politik siç është Partia Demokratike, një subjekt i opozitës.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat