Mbërrijnë te Trauma dy policët e plagosur; një me karrocë, tjetri i shtrirë në barrelë

Shqipëria

Mbërrijnë te Trauma dy policët e plagosur; një me karrocë, tjetri i shtrirë në barrelë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 17:57
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kanë mbërritur në repartin e Traumës te Spitali Ushtarak dy efektivët e plagosur sot në Mamurras, pas një konflikti me të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi.

Të plagosurit janë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, një i plagosur në këmbë. Policia në një njoftim zyrtar tha se ata bashkë me Nikoll Vofrin (Fufi) u plagosën nga polici tjetër i patrullës, David Megani.

Kolegët e tij janë transportuar në spital nën kujdesin e mjekëve, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Siç shihet edhe nga fotot, një prej tyre ndodhet në karrocë ndërsa tjetri i shtrirë në barrelë.

Autoritetet bëjnë me dije se është ngritur grupi i posaçëm hetimor për të bërë zbardhjen e kësaj ngjarje vërtet komplekse deri më tani. Në kërkim janë Ndue Zefi 28 vjeç dhe Gjon Fufi 40 vjeç.

Kurbin/Informacion paraprak

Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.

Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.

Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat