Duma e PD-së: Zgjedhjet e 24 prillit janë historike, Rama ka keqmenaxhuar për tetë vjet Shqipërinë

Shqipëria

Duma e PD-së: Zgjedhjet e 24 prillit janë historike, Rama ka keqmenaxhuar për tetë vjet Shqipërinë

Më: 23 prill 2021 Në ora: 00:31
Grida Duma

Kandidatja për deputete në Shqipëri nga Partia Demokratike, Grida Duma, ka theksuar se zgjedhjet e 24 prillit janë historike për një ndryshim në të mirë të vendit dhe qytetarëve.

Duma ka theksuar se besimi i shqiptarëve tek politika ka rënë shumë si pasojë e politikës jo të mirë.

“Po i afrohemi rezultatit të fitores, kjo është tashmë faktike, dallohet qartësisht që shqiptarët duan të shkojnë të votojnë për ndryshimin”.

“Kemi momentin më historik të zgjedhjeve, e quaj të tillë, sepse e krahasoj me vitet 90-91, ne të gjithë e dimë që shqiptarët u përballën me një frymë për ta bërë Shqipërinë si Evropa”.

“Arsyeja që unë i quaj këto zgjedhje historike është sepse ingredienti i idealizmit në Shqipëri për të besuar tek bërja e gjërave, për të besuar tek fjala e politikës është shumë i gërryer, është shumë i dobët, për shkak se 30 vjetëve të tranzicionit, të cilat nuk e ndihmuan Shqipërinë të ndërtonte dalë nga dalë, në tetë vitet e keqqeverisjes së Ramës”.

“Shqipëria bëri regres në institucione, sot keni në institucione dy elementë shumë të rëndësishëm që e kanë shkatërruar fondamentin e shoqërisë, krimi i vendosur në pushtet është njëri nga elementët më të këqija që nuk do të duhej të ekzistonte”.

Duma e ka akuzuar Ramën për qeverisje jo të mirë duke shtuar se ai fshihet pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë.

“Ka një qartësi që Rama e bëri Shqipërinë të reduktuar në shqiptar, të reduktuar në profesionist sepse e gjithë shtresa e mesme iku dhe pa diskutim të varfëruar. Ai nuk mund të fshihet pas pandemisë dhe tërmetit, sepse qeveritë e mira shihen në kriza, nëse një qeveri e keqmenaxhon krizën, mendoni sa keq e menaxhon normalitetin”.

Ajo ka thënë se nuk do të lejojnë të ketë vjedhje të votave, duke shtuar se herëve të kaluara kishte.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat