Mesazhi i Dom Gjergjit: Dëgjoni zërin e grave, asgjë s’ka vlerë pa Zonjat e jetës së përditshme

Shqipëria

Mesazhi i Dom Gjergjit: Dëgjoni zërin e grave, asgjë s’ka vlerë pa Zonjat e jetës së përditshme

Më: 2 maj 2021 Në ora: 14:59
Dom Gjergj Meta

Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta fton shoqërinë shqiptare në një reflektim të thellë për gjendjen dhe problematikat me të cilat ende përballet gruaja. Në meshën kushtuar Pajtores së Shqipërisë, ai tha se asgjë nuk ka vlerë, në rast se nuk vlerësohet sakrifica e zonjave në jetët tona të përditshme.

Dom Gjergj Meta, ipeshkv i Rrëshenit, zgjodhi meshën që shënoi muajin e kremtimeve kushtuar Zojës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë për të kërkuar një moment reflektimi për gjendjen e gruas shqiptare në kohët që jetojmë.

"Ka ende shumë gra që dhunohen, diskriminohen, që nuk u jepet zë në shoqëri dhe as në kishë. Nuk ka vlerë asnjë meditim, asnjë rruzare, asnjë devocion, as një shtegtim në vendet e Zonjës nëse nuk hedhim sytë e mendjes dhe zemrës nga Zojat e jetës sonë të përditshme".

Duke marrë shkas që ky muaj nisi me Ditën e Punëtorëve, theksin e vuri tek plaga e papunësinë, por dhe fenomeni i shfrytëzimit në punë.

"Papunësia është fenomen shqetësues, i cili ka bërë që qindra e mijëra të rinj shqiptarë të braktisin vendin tonë. Fenomen ky që ende vazhdon dhe ka gjasa të vazhdojë akoma nëse nuk vihen në jetë programe dhe strategji punësimi. Nga ana tjetër shfrytëzimi i punëtorëve duke mos i paguar ata si duhet, duke i nënpaguar apo edhe kur i paguan mirë me koston e të shndërruarit në skllevër të zotërinjve të tyre".

Gjithë qytetarëve e politikanëve në veçanti u bëri thirrje të mos zgjedhin rrugët e shkurtra por të gabuara për pasurim me vjedhje, drogë e korrupsion.

"Janë shumë ata që zgjedhin këto rrugë të shkurtra, përmes korrupsionit, vjedhjes së pasurisë publike, kultivimit të lëndëve narkotike, manipulimit të koshiencave e kështu me radhë."

Përgjatë këtij muaji lutjet e të krishterëve i drejtohen Pajtores së Shqipërisë, duke i kërkuar ndërmjetësim, veçanërisht në këto kohë të vështira kur po përballemi me pandeminë dhe problematika të shumëllojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat