Vodhi miliarda, turku fshihet në Shqipëri, ja zonat ku ka qëndruar

Shqipëria

Vodhi miliarda, turku fshihet në Shqipëri, ja zonat ku ka qëndruar

Më: 4 maj 2021 Në ora: 15:45
Faruk Fatih Ozer

Policia shqiptare ka shpallur në kërkim dhe ka ushtruar kontrolle për menaxherin milioner të kriptomonedhave ‘Thodex’ i arratisur nga Turqia më 20 prill me 108 milionë dollar.

Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmuan për A2 se dyshohet se Faruk Fatih Ozer mund të fshihet ende në Shqipëri kjo pas zbulimit të itinerarit që ai ka ndjekur.

Kontrollet janë ushtruar në Tiranë Durrës dhe Vlorë pas dyshimeve se Ozer mund të largohet në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian në mënyrë të paligjshme. Sipas të dhënave të policisë, por edhe mediave Turke, Ozer fluturoi për në Tiranë me një biletë që e bleu nga një kompani ajrore shqiptare.

Ai u prit në Tiranë nga një çift shqiptarësh me të cilët kishte krijuar kontakte gjatë vizitës së tyre në Turqi. Fillimisht ai dyshohet se qëndroi në zonën e Pazarit të ri në banesën e çiftit shqiptar e më pas tek ‘Myslym Shyri’ pasi në media qarkulloi se ai ishte përfshirë në listën e të kërkuarve të Interpol.

Nga këtu dyshohet se Ozer ka qëndruar në një hotel në zonën e Zogut të Zi ndërsa dy netët e tjera në një hotel pranë ish 21-dhjetorit. Policia shqiptare ka informacion se prenotimi i hotelit është bërë nga çifti shqiptar të cilët janë marrë në pyetje, por nuk kanë dijeni mbi vendndodhjen e të riut miliarder.

Mësohet se Faruk Fatih Ozer kishte prenotuar një dhomë normale në hotel duke ruajtur një profil të ulët. Ndonëse do të qëndronte për tre netë ai u largua ditën e dytë dhe prej këtu nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Faruk Fatih Ozer është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke pasi akuzohet për mashtrim në vlerën e 2 miliardë dollarëve me kriptomonedhat virtuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat