Ndreu optimist: Shëngjini do jetë në top-listën e plazheve të frekuentuar, kulinaria e Lezhës e pakonkurueshme

Shqipëria

Ndreu optimist: Shëngjini do jetë në top-listën e plazheve të frekuentuar, kulinaria e Lezhës e pakonkurueshme

Më: 13 maj 2021 Në ora: 21:32
Pjerin Ndreu

Turizmi mori një goditje të madhe nga pendemia por për këtë sezon pritshmëritë janë të mëdha për të tejkaluar krizën.

Ndërsa bashkitë janë në përgatitjet e fundit para çeljes zyrtare të sezonit turistik, kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, thotë se dhe i gjithë shërbimi i hotelierisë atje është i prenotuar për ditët e para të qershorit nga turistë të huaj.

Ndreu: Sot që flasim, në fillim të muajit qershor janë prenotuar pothuajse të gjithë hoteleritë me klientelë të huaj, është një start shumë i mirë për të promovuar turizmin në Lezhë. Si bashki kemi marrë masat e duhura për të krijuar të gjitha standardet e nevojshme për të pasur një plazh me një cilësi shumë të plotë.  Pastrimi është kryesorja, hedhja e mbeturinave vend e pa vend ka qenë gangrenë. Plazhi i Shëngjinit  është vlerësuar plazhi më i pastër sivjet.Po rikonfigurojmë të gjithë problematikën që duhet ta adresojmë shumë shpejt. Janë dhe disa rregullime në infrastrukturë, ku do vendosen lodrat për fëmijë, tregu, parkingjet, njësitë e shërbimit, cilat do të jenë oraret e nxjerrjes së mbeturinave. Kam bërë një takim para një jave me 70 operatorë dhe ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes bashkisë, operatorëve turistikë, operatorëve të firmave të menaxhimit të mbetjeve. Jemi në një linjë për të vendosur një rregull në gjithë periudhën e plazhit.

Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Ndreu  tha se problemi që nuk është adresuar akoma është trafiku.

Ndreu: Ajo që mbetet për tu diskutuar është trafiku, që supozohet të jetë i ngarkuar. Këtë javë do të bëjmë një takim dhe do të vendosim për disa devijacione që do të lehtësojnë ndjeshëm trafikun në Shëngjin. Por është dhe plazhi i Tales, laguna Kune- Vain dhe Rana e Hedhun.

Kryebashkiaku është i bindur se Shëngjini do të jetë prapë në top-listën e plazheve më të përshtatshme për të bërë plazh, duke i shtuar këtu edhe cilësinë e ujit që është në standartet më të larta të pastërtisë.

Ndreu: Përveç këtyre katër zonave, Lezha ofron shumë edhe në aspektin e turizmit historik, edhe në aspektin religjioz. Po punojmë me një platformë në google. Oferta turistike e Lezhës është shumë e mirë. Peshën më të madhe të klientelës e zënë shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre kanë ndërtuar biznese dhe kanë blerë shtëpi aty. Lezha ka gjithçka që i duhet dikujt për të ardhur.

Por qershia mbi tortë është kulinaria spektakolare  e Lezhës, për të cilën Ndreu pa modesti thotë se asnjë qytet tjetër në Shqipëri nuk e konkurron dot.

Ndreu: Është e njohur jo vetëm e brenda Shqipërisë por në sitet më të njohura botërore për nga cilësia dhe diversiteti. Agroturizmi ka marrë një zhvillim të vrullshëm dhe Lezha është bërë epiqendra e një sistemi restorantësh që frekuentohet nga të gjithë, edhe nga trupi diplomatik në Shqipëri, edhe nga elita shqiptare e biznesit dhe politikës.

Kryeministri Rama ka premtuar një relaksim të masave përgjatë sezonit. Edhe vetë Ndreu thotë se nuk ka asnjë arsye që qershori të jetë me masa kufizuese.

Ndreu: Kurba e sëmundjes ka rënë dhe kjo për dy arsye, shumë e kanë kaluar virusin dhe fushata e vaksinimit.

E ndërsa Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të lakmuar për të huajt, Ndreu thotë se ajo çfarë na mbetet ne është të punojmë fort me cilësinë e shërbimit, çmimet.

Sipas tij Lezha ka zgjedhje në varësi të buxhetit të atij që e zgjedh për të pushuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat