‘Economist’: Nëse s’paguan ryshfet, s’ka leje ndërtimi në Shqipëri

Shqipëria

‘Economist’: Nëse s’paguan ryshfet, s’ka leje ndërtimi në Shqipëri

Më: 21 maj 2021 Në ora: 10:03
Ilustrim

Revista e njohur, ‘The Economist’, shkruan se në Ballkan po lulëzon pastrimi i parave. Në shkrim theksohet se Shqipëria po njeh një bum në ndërtime me paratë e drogës. Më tej thuhet se nëse nuk paguan ryshfet, ndërtimet bllokohen.

“Një emigrant, i cili ka ndërtuar gjysmën e një blloku apartamentesh pranë shtëpisë së tij në Vlorë, në jug të Shqipërisë, iu bllokuan ndërtimet sepse ai nuk pranon të paguajë ryshfet për të siguruar lejet e nevojshme”.

Artikulli shkruan se në të gjithë Ballkanin, paratë e pista po pastrohen përmes pasurive të paluajtshme, duke shtrembëruar tregun dhe duke rritur çmimet – duke shkaktuar zemërimin e njerëzve të zakonshëm që duan të blejnë një shtëpi. Kulla të reja luksoze po ngrihen në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd.

"Megjithëse ekonomitë e Ballkanit janë goditur rëndë nga Covid-19, çmimet e pronave në pjesë të rajonit e kanë sfiduar krizën. Në Tiranë, ato janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2017. Në të gjithë Shqipërinë, vlera e transaksioneve të pasurive të patundshme u rrit me 6.7% në vitin 2020.

Pastrimi i parave të drogës, veçanërisht nga trafiku i kokainës, i cili ka lulëzuar në vitet e fundit, është një arsye pse çmimet po rriten, gjeti një raport i ri nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar, një rrjet ndërkombëtar i specialistëve të krimit. Një tjetër arsye është se zyrtarët e korruptuar duhet të investojnë paratë e tyre. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë ligje të mira për parandalimin e pastrimit të parave, por zbatimi lë për të dëshiruar.

Në dekadën e fundit, sindikatat e krimit në Ballkan janë zhvilluar përtej vendeve të tyre të origjinës. Ata tani i fitojnë një pjesë të madhe të parave jashtë vendit. Prandaj, thotë raporti, një pjesë e madhe e fitimeve të tyre është investuar edhe jashtë vendit. Por ata ende investojnë në vendin e tyre të origjinës. Fatjona Mejdini, e cila ndihmoi në hulumtimin e raportit, thotë se qeveritë e Ballkanit janë të dyzuara në lidhje me pastrimin e parave. Ata duan ta godasin atë, por njëkohësisht mirëpresin vendet e punës dhe investimet që mund të sjellin.

Kur vjen puna tek “të fortët”, ndonëse janë brutalë në mënyrën sesi i bëjnë paratë e tyre, shfaqen konservatorë në mënyrën sesi i investojnë. Atyre u “mungon imagjinata”, thotë znj.Mejdini, dhe kjo është një nga arsyet se pse ata preferojnë llaç e tulla, ndaj llojeve të tjera të biznesit që mund të përdornin për të pastruar paratë e tyre", përfundon artikulli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat