Çobani i pakujdesshëm i shkatërroi vreshtin, por pronari i merr peng dhitë

Shqipëria

Çobani i pakujdesshëm i shkatërroi vreshtin, por pronari i merr peng dhitë

Më: 22 maj 2021 Në ora: 22:57
Foto ilustrim

Komisariati i policisë numër 6, është ndeshur me dy kallëzime të veçanta të dy bashkë-fshatarëve nga Pezë Helmësi, ku secila nga palët akuzonte tjetrën për dëmtim të pronës. Burime zyrtare të GazetaSi, bëjnë me dije se i pari ka folur në polici shtetasi, G.U., për të cilin u mbajt procesverbal, ku ai shpjegon dëmtimin e ullishtës nga kufitari.

Por i dyti, me inicialet J.C., nga Dhëmblani dhe banues në Pezë Helmës, këmbëngul po ashtu se iu dëmtua kopeja me dhi, pasi iu mbajt peng për dy orë rresht dhe se ai është paragjykuar, pasi në zonë ka mjaft bagëti dhe s’mund të akuzohen kafshët që ai ka në zotërim.

“Kam një tokë në proces legalizimi në fshatin Pezë Helmes, e kam prej 24 vitesh dhe e kam mbjellë me ullinj, arra, lajthi dhe shegë. Por ka rreth nëntë vite që shtetasi J.C., me bagëtitë e tij më ka dëmtuar pemët. Sasia e rrënjëve me ullinj ,është rreth 3 mijë rrënjë, prej tyre më ka dëmtuar rreth 100, më ka dëmtuar rreth 50 rrënjë arra, ndërsa tubin e ujit e  kanë dëmtuar lopët”.

Banori i thotë policisë se kërkoi dëmshpërblim, pasi llogarit që ka humbur më tepër se 1 milion lekë, por fqinji ka refuzuar që të diskutojë me të, as që ka negociuar e madje ka vijuar sipas tij që të reflektojë.

“Së fundmi i kapa dhitë në vresht, por J.C., ua hedh fajin bagëtive të fshatit dhe deklarohet i pafajshëm”, – i thotë policisë banori i fshatit Pezë Helmës. Policia, e cila ka nisur hetimin për shkatërrim prone, është ndeshur ndërkohë me një tjetër ankesë nga pala dëmtuese.

J.C., i ka treguar policisë, se për gati dy orë, bagëtitë iu mbajtën peng nga fqinji, i cili sipas tij nuk mund të pretendojë se dëmet ia ka shkaktuar kopeja e tij e përbërë nga 8 krerë dhi, një kope me dele dhe një lopë. Ai i kujtoi policisë se është hallexhi dhe se nuk mund t’i paguajë paratë që i kërkon fqinji.

“Unë i lëshoj bagëtitë afër stanit, ato janë kafshë dhe kapin e hanë barishte e ç’të gjejnë përpara për të kullotur. Në asnjë mënyrë nuk i kam çuar me qëllim në pronat e të tjerëve, pasi aty kam bukën e fëmijëve, por me sa duket, kur unë nuk jam aty, ato kalojnë nëpër gardhe. Dhitë kishin kaluar gardhin e G.U., nga pjesa e ullinjve të vjetër dhe babai im sapo i ka parë ka shkuar me vrap t’i marrë”.

I riu tregon, se kur të afërmit kanë shkuar atje janë përballur me fqinjin. “I ka thënë, dhitë nuk t’i jap, se njoftova policinë dhe prej andej i ka lëvizur dhitë në tokën e të vëllait që quhet Q.U. Babai i ka thënë, mos më fut në sherr me të tjerë dhe eja flasim, se nuk besoj që dëmi që të shkaktuan dhitë e mia për pesë minuta është aq i madh sa të njoftosh policinë”.

Sherri sipas policisë është përshkallëzuar më tej, pasi këtij shtetasi i ka rënë telefoni dhe vëllai tjetër i fqinjit e ka akuzuar.

“Më pyeti, përse i ke futur dhitë në tokën time dhe i thamë që i kishte kaluar i vëllai. Më tha, mos u merr me të po ec e merr dhitë. Por për dy orë rresht, G., nuk pranoi t’i lëshonte dhitë duke m’i mbajtur peng”.

J.C., akuzon fqinjin se ka dyshime të kota për bagëtitë e tij, pasi në fshat nuk ka vetëm ai kope. “G., nuk mund të pretendojë që ia kemi bërë ne dëmin, se ne jemi njerëz hallexhinj dhe po ta kishim bërë do ta kishim gjetur gjuhën. Në fshat kanë të gjithë bagëti. Kur erdhi policia, G., nuk i çoi ata tek toka ku bënë dëmin pesë minuta dhitë, por i çoi tek një parcelë tjetër, ku dëmin e kanë sjellë kopetë e të tjerëve”.

Policia bën me dije për GazetaSi.al, se të dy fqinjët janë vënë nën hetim për shkatërrim prone dhe se asnjëri nuk ka pranuar që të ulet e të negociojë.

“Të dyja palët këmbëngulin se pala tjetër i ka rënë në qafë, por sidoqoftë, ajo që kuptohet është se përveç dëmeve, fqinjët kanë më tepër një konflikt për tokën, ku kanë vendosur që ta mërzisin njëri-tjetrin derisa njëra palë të dorëzohet”, – komentoi njëri nga efektivët e komisariatit numër 6, që u mor me këtë çështje.

Por pyetjes së agjentit, nëse kanë pasur apo jo konflikte për çështje prone, J.C., i përgjigjet: “ “Gjithmonë ai më akuzon për dëmet që i ka shkaktuar kopeja dhe nuk merret me barinjtë e tjerë, por vetëm me ne, pasi qëllimi i tij është që ne të largohemi nga stani. Ai e ka rrethimin e tokës të vjetër dhe gardhi është dëmtuar, nëse do të ishte i shqetësuar, mund të merrte masa të rregullonte gardhin dhe jo të njoftonte policinë”, – deklaron në procesverbal i riu që po ashtu këmbëngul se iu dëmtua prona, pasi dhitë u mbajtën peng dhe nuk kullotën sipas tij për disa orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat