Atentati në Vlorë, dalin pamjet nga vendi i ngjarjes ku mbeti i plagosur me 4 plumba Edison Begaj

Shqipëria

Atentati në Vlorë, dalin pamjet nga vendi i ngjarjes ku mbeti i plagosur me 4 plumba Edison Begaj

Më: 30 maj 2021 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Media ka siguruar pamjet nga vendi i atentatit në Kaninë të Vlorës mbrëmjen e djeshme, 29 maj ku mbeti i plagosur Edison Begaj.

Në video shihen gëzhojat e plumbave me të cilët është qëlluar drejt 38-vjeçarit në derë të shtëpisë.

Ai u qëllua me 5 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në këmbë.

Begaj u paraqit për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës.

Si ndodhi ngjarja

Një tjetër atentat me armë është regjistruar në qytetin e Vlorës pak para mesnatës së djeshme, 29 maj ndërkohë që objektiv ka qenë 38 vjeçari Edison Begaj, person me precedent penalë, i hetuar nga OFL.

Policia tha se rreth orës 23:30, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur 38 vjeçari, banues në fshatin Kaninë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mjekëve dhe policisë, Begaj ka marrë pesë goditje me armë, zjarri katër nga të cilat e kanë prekur në këmbë.

I plagosuri ka qenë duke dalë nga banesa e tij në momentin që është sulmuar me armë.

Sipas informacioneve të policisë, autori i sulmit ka qenë një person i vetëm i cili e ka pritur 38 vjeçarin tek dera e shtëpisë dhe pas të shtënave, është larguar në këmbë disa metra më poshtë ku e priste një automjet, i cili e ka larguar nga vendi ngjarjes.

Policia nuk përjashton as pistën e konflikteve banale që 38 vjeçari mund të ketë pasur ndërkohë mënyra e realizimit të atentatit me të shtëna drejt këmbëve, lexohet nga policia edhe si përpjekje për t'i dhënë një mesazh.

Kush është Edison Begaj

I plagosuri është arrestuar në vitin 2008 në operacionin e koduar “Qiriu i ndezur”, i cili i dha fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë.

Aksioni i shtrirë në Vlorë, Fier, Kavajë dhe Lushnjë çoi në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Edison Begajn.

Ndërkaq në 19 mars të 2015 policia pikasi një automjet, i cili dyshohej se mbarte lëndë narkotike ku Edison Begaj së bashku me tre te tjerë kanë hapur zjarr ndaj forcave të rendit.

28 vjeçari u arrestua ndërsa tre personat e tjerë shpëtuan në ngjarjen e cila përfundoi edhe me plagosjen e njërit prej policëve.

Në 18 maj 2020, Edison Begaj është deklaruar zyrtarisht nga policia si subjekt i OFL-së.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat