Raporti/ Vlonjatët dhe gjirokastritët, më problematikët për dhunën në familje

Shqipëria

Raporti/ Vlonjatët dhe gjirokastritët, më problematikët për dhunën në familje

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 15:36
Ilustrim

Kryeprokurori Olsian Çela raportoi sot para Komisionit të Ligjeve në Kuvend në lidhje me punën e institucionit të akuzës duke nxjerrë të dhëna interesante sa i përket natyrës së krimeve të kryhen në vend; profilit të autorëve apo masën e dënimeve.

Në lidhje krimet që lidhen me dhunën ndaj fëmijëve, grave apo rasteve të ngjashme në familje, sipas Çelës, incidenca më e lartë shënohet në qarqe si Vlora dhe Gjirokastra. Në këto qarqe rezultojnë respektivisht 62 dhe 60 procedime penale për vepra që kanë të bëjnë me abuzime ndaj fëmijëve apo dhunë në familje.

“Gjeografia sociale: numri më i lartë i procedimeve për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë 32 %, ndërkohë që koeficienti më i lartë për 100 000 mijë banorë rezulton në qarqet Gjirokastër me 62 procedime dhe qarku Vlorë me 60 procedime”, shkruhet në raport.

Gjirokastra prin gjithashtu edhe me rritjen e nivelit të kriminalitetit në përgjithësi për 100 000 banorë, ndërsa në numër total, pjesa më e madhe e procedimeve penale janë regjistruar në qarqet e mëdha si Tirana, Durrësi apo Elbasani.

Ndërkohë, në raport thuhet se qarku me kriminalitetin më të ulët është pikërisht ai Dibrës, ku Prokurori i Përgjithshëm thekson se në prokurori është regjistruar numri më i ulët i procedimeve penale në rang vendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat