Rama-Manastirliu inspektojnë laboratorin e ri në QSUT: Rritet me mbi 50% gama e analizave, laboratorë të rinj në 18 spitale në gjithë vendin

Shqipëria

Rama-Manastirliu inspektojnë laboratorin e ri në QSUT: Rritet me mbi 50% gama e analizave, laboratorë të rinj në 18 spitale në gjithë vendin

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 14:06
Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu

 Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar laboratorin e ri në QSUT, ku ka nisur një kapitull i ri i modernizimit të shërbimit shëndetësor, me investimin në rrjetin kombëtar të laboratorëve publikë në vend.

“Në QSUT ka filluar edhe implementimi i projektit të Partneritetit Publik Privat për laboratorët. Janë planifikuar 18 spitale në të gjithë vendin të bëhen pjesë e këtij rrjeti. Aktualisht janë 5 spitale në Tiranë në të cilët ka filluar zbatimi i këtij partneriteti, duke ofruar një gamë të gjerë të analizave si dhe spitalin e Fierit dhe Beratit, duke rritur me mbi 50% edhe në spitalet rajonale llojshmërinë e testeve dhe analizave laboratorike që kryhen në spitalet tona. Krijojmë kështu mundësinë të diagnostikimit dhe të ndjekjes më të mirë të pacientëve”, tha Manastirliu.

Duke bërë me dije se standardi do të jetë i njëjtë në të gjithë laboratorët e rinj, Manastirliu theksoi se po përdoret për herë të parë sistemi i kompjuterizuar i të gjithë analizave.

“Për herë të parë vendosim një sistem të kompjuterizuar të gjithë analizave dhe përfshirja e këtij sistemi, jo vetëm në QSUT, por në të gjithë spitalet që janë përfshirë në këtë partneritet, krijon më shumë lehtësi për të çertifikuar analizat. Tashmë pacientët nuk do të kenë më nevojë të vijnë në QSUT, se QSUT i ka analizat më cilësore. I gjithë standardi është i njëjtë. Jemi duke çertifikuar laboratorët sipas standardeve ndërkombëtare. Dhe garantojmë më shumë siguri edhe për diagnostikën edhe të ndjekjes të pacientëve”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit me Kryeministrin Edi Rama, Manastirliu tha se në laboratorin e ri të QSUT do të rritet gama e analizave, duke theksuar se sfida e radhës për ekipin mjekësor është të shkojë në një nivel më të lartë edhe në kërkimin shkencor.

“Tashmë janë 164 analiza që realizohen dhe ndërkohë ka mundësi që të shtojmë gamën e analizave çdo vit. Tani sfida e radhës është si të shkojmë në një nivel më të lartë, sepse këto aparatura kërkojnë që edhe stafi të jetë shumë mirë i trajnuar, ndërkohë që të vijmë me atë që ne kemi pikë të dobët që është kërkimi shkencor, sepse spitalet universitare dhe sidmos dhe këto lloje laboratorësh kërkojnë të ngrihen në një nivel të ri”, nënvizoi Manastirliu.

Në 18 spitale publike do të investohen për ofrimin e shërbimit cilësor dhe zgjerimit të gamës së analizave, duke rritur mbulimin shëndetësor dhe duke reduktuar pagesat nga xhepi për qytetarët. Aktualisht ky partneritet është shtrirë në 7 spitale publike, duke filluar nga QSUT dhe 4 spitalet e tjera universitare të Tiranës si dhe në spitalin Rajonal të Fierit dhe Beratit, për të vijuar më pas, sipas kalendarit, me shtrirjen në të gjithë spitalet rajonale dhe në dy spitale bashkiake brenda këtij viti. Përmes këtij partneriteti, parashikohet një shtim i volumit të analizave me standard dhe siguri e lartë në rrjetin e ri të laboratorëve publikë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat