VOA: Gjykata e Posaçme lë në burg Prokurorin e Sarandës, i dyshuar për korrupsion pasiv

Shqipëria

VOA: Gjykata e Posaçme lë në burg Prokurorin e Sarandës, i dyshuar për korrupsion pasiv

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 20:11
Sali Hasa

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha të hënën masën e "arrestit me burg" për Prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i cili u arrestua të shtunën pas një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme, i dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Nga hetimet e kryera, Prokurori Hasa dyshohet për përfshirje në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj Emiljano Miranit, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”. Prokuroi Hasa dyshohet se ka marrë ryshfet nga motra e Emiljanos, Elsona Papa, për të cilën gjykata ka vendosur “arrest shtëpie”.

Lidhur me këtë hetim nga Gjykata janë dhënë masat e arrestit me burg edhe për tre persona të tjerë, ndërsa një person hetohet në masë më të lehtë sigurie.

Oficeri i policisë gjyqësore Napolon Hodaj si dhe Emiliano Mirani dhe Julian Zera akuzohen për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa ish-eksperti mjeko-ligjor Hysen Korenica po hetohet nën masën e detyrimit me paraqitje, i dyshuar “për ekspertim të rremë”.

Provat e grumbulluara ndaj prokurorit, kryesisht përgjime, dolën ndërsa po hetohej nga SPAK-u që në shkurt të vitit 2020, një çështje për trafik narkotikësh./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat