Policia kontrolle me dronë e radarë, arrestohen 5 shoferë dhe 2212 të tjerë gjobiten

Shqipëria

Policia kontrolle me dronë e radarë, arrestohen 5 shoferë dhe 2212 të tjerë gjobiten

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet në të gjithë vendin duke përdorur radarë, dronë, alkooltestues, makina të paloguara, kamera dhe aparate fotografike. Siç njoftohet, gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar dhjetëra drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 82 km/h në qendrat e banuara e deri në 175 km/h në rrugët interurbane.

Një drejtues mjeti është arrestuar në flagrancë pasi për të shmangur gjobën për shkeljen e semaforit, i ka ofruar punonjësit të policisë rrugore, 2.000 lekë të rinj. Ndërsa, për parakalim të gabuar, janë gjobitur 56 drejtues mjetesh në të gjithë vendin.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga edhe 5 drejtues mjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë pezulluar 48 leje drejtimi, nga të cilat 37 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Policia njofton se 2212 drejtues mjetesh janë gjobitur për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në aksidente, si parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat