Lulzim Basha sulmohet nga e gjithë politika e vjetër

Shqipëria

Lulzim Basha sulmohet nga e gjithë politika e vjetër

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 30 korrik 2021 Në ora: 16:58
Skënder S. Kapiti

Sot Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka folur për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë e PD.

“PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj (Nënkupto: Sali Berisha).

 Pra kjo thënie e Ambasadores amerikane do të thotë se Sali Berisha duhet larguar, dhe është në një linjë me “non grata-n”amerikane  si dhe nuk ka pse idhujtarëve të tij t’u vijë keq. Pra, Lulzim Basha prandaj edhe sulmohet jo vetëm nga kundershtaret politike por edhe Berishistët në PD, pra nga e gjithë politika e vjetër

Berisha, Nano, Meta e Rama janë 4 zullumqarët që e mbajtën peng Shqipërinë, zhvillimin, progresin, demokracinë, drejtësinë dhe integrimin e Shqipërisë për 30 vite të tranzicionit. Kush më shumë e kush më pak, të katër këta vijnë nga regjimi kumunisto-enverist, të formësuar, të edukuar dhe të shkolluar në shkollën dhe përvojën ideologjiko-komuniste, ateiste e antinjerëzore të regjimit kriminal marksist-leninist. Të katër këta janë pengmarrësit, autorët e shkaktarët e stërzgjatjes së këtij tranzicioni rrënimtar e shkatërrimtar në Shqipëri; këta janë zullumqarët dhe keqbërësit publik e kombëtar që instaluan sistemin kriminal, grabitqar e hajduto-korruptiv në Shqipëri e që e rrënuan sistemin demokratik e ligjor apo më saktë, këta të katërt janë ata që punuan për interesat e tyre personale kundër Shqipërisë, kundër interesit kombëtar, kundër demokracisë, kundër integrimit e pro hajnisë, krimit e korrupsionit.

Oksigjeni që i mbajti në krye të Shqipërisë këta zullumqarë janë jo vetëm partitë politike PS, PD e LSI, por janë edhe mediat dhe mercenarët mediatikë manipulues, të blerë e të shitur; janë edhe intelektualizmi dhe intelektualët, pseudodijetarët halabakë, servilë e sahanlëpirës që u rreshtuan në taborë mbrojtësish e propaganduesish të këtyre 4 shtriganëve. Shqiptarët të ndarë e të përçarë prej këtyre 4 zullumqarëve dhe të partive personale të tyre ua besuan, i votuan e i mbajtën të katër këta në politikë e në pushtet prej 30 vitesh. Dhe ky “pëlqim” apo ky gabim i shqiptarëve ka bërë të mundur që vetë shqiptarët të pësojnë e të vuajnë me meritë këtë realitet traumatik, sepse ashtu siç është komuniteti ashtu atij komuniteti i erdhën në krye edhe politika edhe pushteti edhe qeveria. Prandaj SHBA-të dhe BE duke e parë këtë farë derexheje ku është degdisur vendi, shteti, shoqëria, ligji, demokracia e drejtësia nga këta 4 ustallarët e rrënimit e të shkatërrimit dhe duke parë që shqiptarët nuk ishin vetë në gjendje për të dalë nga ky qorrsokak, atëherë SHBA-të dhe BE më në fund ndërhynë duke ngritur drejtësinë nga e para, pra duke miratuar vetingun si i vetmi mjet reformator e jetik që do ta shpëtojë Shqipërinë, shtetin, shoqërinë dhe do ta vendosë sundimin e moralit e të ligjit. Dhe Lulzim Basha duke mos qenë as si Berisha, as si Nano, as si Meta e as si Rama, pikërisht për këtë arsye atë e sulmojnë gjithandej e gjithë politika e vjetër e degraduar, e korruptuar, e kriminalizuar dhe e dështuar në aleancë me mediatikët, analistët, opinionistet e intelektualët servilë, sahanlëpirës e të padinjitet, të cilët shiten për pak interes te paraja e te pushteti. Kundër Lulzim Bashës është e gjithë politika e vjetër e këtyre 30 viteve, janë të gjithë ata politikanë e pushtetarë si ishët dhe ata të tanishëm, të cilët kanë përfituar nga politika e pushteti; kundër Bashës janë ata që kanë abuzuar, vjedhur e grabitur prona, pasuritë dhe paranë publike. Por me Bashën është e ardhmja që do të triumfojë kundër dhe duke i dhënë fund këtij tranzicioni, i cili është marrë peng nga të këqijat dhe korrupsioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat