Voa: Arrestohen dy truprojat e ish ministrit të brendshëm Tahiri nën akuzat për trafikim narkotikësh

Shqipëria

Voa: Arrestohen dy truprojat e ish ministrit të brendshëm Tahiri nën akuzat për trafikim narkotikësh

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 16:54
Ilustrim

Dy truprojat e ish ministrit socialist të punëve të brendshme, Saimir Tahiri, u arrestuan sot në Gjermani dhe në Francë pak ditë pasi u shpallën në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se ka kërkuar ekstradimin drejt atdheut për të pandehurit Hekuran Marku i arrestuar në Gjermani dhe Agustin Deda në Francë.

Emrat e trup-rojave të ish-ministrit të brendshëm ishin në mesin e një liste të gjatë personash të arrestuar apo të kërkuar gjatë operacionit ndërkombëtar të antidrogës “Shqiprti”, mes të cilëve edhe zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorisë si dhe tregtarë e biznesmenë.

Hetuesit i akuzojnë Markun dhe Dedën se kanë kultivuar dhe trafikuar afro 1 ton bimë narkotike në bashkëpunim me një grup personash të tjerë shqiptarë dhe italianë.

Ata i kanë mohuar akuzat në median vendase përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, duke pretenduar se janë të pafajshëm dhe se emrat e tyre në përgjime janë ërmendur qëllimisht për t’i përzjerë në veprimtari kriminale.

Katër grupe kriminale u goditën më 2 korrik, gjatë një operacioni kur ranë në pranga zyrtarë të lartë shqiptarë, të dyshuar se janë përfshirë në trafikun e bimëve narkotike.

Disa nga emrat më të njohur janë prokurori i Vlorës Maksim Sota, ish nëndrejtori i policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, së fundi në sektorin e luftës kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, ish shef i Rendit në Fier dhe një periudhë kohe pjesë e sektorit të antidrogës, Festim Lelaj, i arrestuar më herët si i përfshirë në trafikimin e 2.5 tonë marijuanë drejt Italisë, oficeri i policisë në Portin e Durrësit Artur Krasniqi, si dhe Agustin Deda e Hekuran Marku, anëtarë të grupit të shoqërimit të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri në periudhën për të cilët akuzohen se kishin role aktive në grupet kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat