Shqipëri: Hetimi dhe gjykimi i autorëve të shkeljes së barazisë në tendera, në nivele të ulëta

Shqipëria

Shqipëri: Hetimi dhe gjykimi i autorëve të shkeljes së barazisë në tendera, në nivele të ulëta

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Në Shqipëri një prej problemeve të mprehta që hasin investitorët kur duan të ankohen mbi proçedurat sipas tyre të parregullta të prokurimeve publike, është ballafaqimi me institucionet shtetërore. Shpeshherë ata nuk marrin përgjigje prej tyre, ndërsa tek organet e drejtësisë nuk kanë besim për shkak të korrupsionit dhe vonesave në gjykim, si pasojë eboshllëqeve në sistem, pas largimit në masë të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga proçesi i Vetting-ut. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mimoza Picari, ekspertët vërjenë me shqetësim se numri i dënimeve të autorëve përgjegjës për shkeljen e barazisë në tendera, ështe tejet i ulët në raport më dëmet.

Komuniteti i investitorëve dhe mjaft organizata që monitorojnë klimën e biznesit në Shqipëri shohin me shqetësim se liritë ekonomike cënohen në vijimësi. Departamenti Amerikan i Shtetit në një raport për klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021, e konsideron atë, të vështirë. Investitorët përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin gjyqësor. Një prej problemeve të mprehta sipas ekspertëve mbetet proçesi i ankimimit për proçedurat e prokurimit publik në institucionet shtetërore, ballafaqimi me organet e drejtësisë dhe dënimi i autorëve përgjegjës.

“ Nuk kam parë ndonjë rast kur institucionet apo autoritetet kontraktuese të jenë tërhequr, apo të kenë pranuar gabimet apo të kënë rishikuar proçedurat. Janë munduar me ato format burokratike duke thënë se “jo s’ke kapur datën, jo ankimimin e ke bërë më vonë, jo e ke drejtuar në një zyrë të gabuar”,pra të vërdallosin aq shumë sa ti lodhesh, dhe duke e ditur që nuk nxjerr gjë dekurajohesh dhe thua në djall të vejë.Mund të këtë dhë ndonjë proçes gjyqësor të hapur nga palë të interesuara,por pala fituese ka mjaftueshëm buxhet për ta mbyllur atë”- tha për Zërin e Amerikës Artan Xhiani, eskpert kontabël, Studio Auditimi UHY ELITE.

Përkundrejt shifrave në rritje të dëmit ekonomik të shkaktuar nga parregullsitë në tendera që për 5 vitet e fundit Ministria e financave e llogarit mbi 110 milion dollarë, ndëshkimet e funksionarëve publikë për shkelje të barazisë së pjesmarrësve në tendera mbeten të ulëta. Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme të përpunuara nga Zëri i Amerikës, në 5 vitet e fundit vihet re një rënie vit pas viti e numrit të proçedimeve dhe dënimeve. Janë gjithsej 59 procedime penale të regjistruara në Prokurori për këtë veper penale dhe 12 të dënuar. Krejt ndryshe paraqitet situata në strukturën e posacme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e njohur me emrin SPAK, e cila heton zyrtarët e lartë. Në 19 muaj nga krijimi ajo regjistron 71 procedime për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera, pra 12 më shumë se Prokuroria e Përgjithshme në 5 vjet. Çështjet janë nën hetim dhe ende nuk ka një vendim nga Gjykata e Posacme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për këtë vepër penale.

Ekspertët e lidhin nivelit e ulët të hetimeve dhe dënimeve për veprën penale të shkeljes së barazisë të pjesmarrësve në tendera me mosreagimin e strukturave përgjegjëse, zinxhiri i të cilave është i gjatë.

“Zinxhiri kalon nga një departament që bën kërkesën për një nevojë. Nga ky departament shkon tek financa, bëhet buxhetimi. Më pas kalon tek titullari institucionit. Prej aty kalon në Ministri të Financave. Më pas vazhdon proçesi i prokurimit. Ngrihet njësia e prokurimit. Ka gurp pune për hartim termash reference dhe studim tregu. Pastaj kemi titullarin që firmos. Kemi komisionin e vlerësimit të ofertave me 3 anëtarë që shpall fituesin, pastaj janë ndjekësit e kontratës, kolaudues, mbikqyrës, marrësit në dorëzim dhe më e çuditshmja është se të gjithë këta 100 vetë asnjëri nuk flet”- tha për Zërin e Amerikës Azmi Stringa, Pedagog i financës në Universtetin e NY, Tiranë.

Në një takim me drejtues të Ministrive dhe titullarë të disa institucioneve Kryeministri Edi Rama njoftoi pak kohë më parë marrjen e disa masave.pas kontrollit të mbi 900 procedurave të prokurimit. Ai u shpreh se gjatë vitit 2020 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë hetuar administrativisht 57 procedura prokurimi

“Janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit. Janë konstatuar kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës. Është konstatuar kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret. Për këto arsye janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe me masë disiplinore 92 punonjës”-u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Ekspërtët thonë se këto janë shifra të ulëta në raport me dëmet ekonomike që shkaktojnë parregullsitë në prokurime, dhe se mungon adresimi i këtyre problematikave në organet e drejtësisë.

“Gjithçka është bërë më e sofistikuar. Duket sikur qeveria sot po synon të godasë këto proçedurat e vogla dhe këto veset e përgjithshme, ndërkohë që duhet sikur nuk po kupton këtë gjënë që po krijon vetë, mungesën e garës dhe shmangien e proçedurës sipas legjislacionit të prokurimeve publike”-u shpreh për Zërin e Amerikës Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania.

Përfaqësues të komunitetit të investitorëve shprehen se kanë mjaft probleme me autoritetet kontraktuese dhe agjensisë e prokurimit publik kur tentojnë të ankohen. Ata thonë se shpeshherë nuk marrin përgjigje prej tyre. Por kjo praktikë duket se ka prekur edhe vetë strukturat shtetërore mes tyre. Shefi i qeverisë Edi Rama tha pak kohë më parë kur foli mbi problematikat e prokurimeve publike në vend, se 20% e institucioneve nuk i janë përgjigjur rekomandimeve të agjensisë së prokurimit publik. Ai e cilësoi këtë shkelje të rëndë të etikës shtetërore dhe paralajmëroi së në të ardhmen çdo rast i tillë do të dërgohet në Spak. Ekspertët janë mosbesues ndaj qëndrimeve të kryeministrit duke i konsideruar ato më doza të larta populizmi dhe hipokrizie.

“ Ajo që bën kryeministri më duket thjesht një aksion. Ne nuk mund të vazhdojmë me aksione, ne duhet të ngremë sisteme. Integriteti i titullarëve sot në Shqipëri është çelësi kryesor, për gjithë proçeset e prokurimit. Dhe pjesa më e çuditshme qëndron në faktin se ato rregulla që qeveria socialiste vendosi në 2013, kur erdhi në qeverisje dhe tha se e gjeti situatën në gropë, ato rregulla nuk i zbaton. Kanë mbetur në letër një pjesë e mirë e tyre”- u shpreh Azmi Stringa, Pedagog i financës në Universtetin e NY, Tiranë.

E megjithatë shefi i qeverisë në reagimet publike në lidhje me problematikat e prokurimeve publike ka një qasje tjetër. Ai thotë se situata është përmirësuar krahasuar me 8 vite më parë kur socialistët erdhën në qeverisje.

“ Nëse në mandatin e parë ishim në gropë. Nëse në mandatin e dytë kemi vënë një bazë. Në mandatin e tretë duhet të ngrihemi lart”- u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Vlera totale e fondit limit për prokurimet publike në vend llogaritet rreth 1 miliard dollarë në vit, ose 7-8% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo është një shifër e kosniderueshme nëse kemi parasysh se ajo përbën rreth 1 të 5 e buxhetit të shtetit. Vlera mbi 100 milion dollarë dëm në 5 vitet e fundit e llogaritur nga vetë strukurat e qeverisëse konsiderohet nga ekspertët tejet e lartë. Ata mendojnë se situata bëhet edhe me shqetësuese kur për një vlerë të tillë dëmi financiar, ka vetëm 12 funksionarë publikë të dënuar nga organet e drejtësisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat