Universitetet hapin dyert për vaksinimin antiCOVID, Manastirliu: Vijojmë edhe në tetor

Shqipëria

Universitetet hapin dyert për vaksinimin antiCOVID, Manastirliu: Vijojmë edhe në tetor

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 16:17
Ogerta Manastirliu

Në të gjitha universitetet publike dhe jopublike në vend, ka nisur vaksinimi për pedagogë e studentë, për të rritur aksesin në vaksinim, për mbrojtjen e tyre dhe për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik.

“Duhet që brenda datës 11 tetor kur është dhe fillimi i vitit akademik të kemi një përqindje të lartë të studentëve të cilët vaksinohen dhe që praktikisht do të jenë në auditore për të filluar mësimin”, deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila ka ndjekur nga afër vaksinimin në universitete publike e private, ku ka theksuar rëndësinë e vaksinimit antiCOVID për mësuesit, pedagogët dhe studentët, me qëllim rritjen e mbulesës vaksinale në auditore për reduktimi e formave të rënda të sëmundjes dhe shmangien e fataliteteve.

Nga Fakultetit i Ekonomikut në Tiranë, ministrja Manastirliu, bëri me dije se 66% e arsimtarëve janë vaksinuar me të dy dozat, duke theksuar domosdoshmërinë e shtrirjes së procesit të vaksinimit për mësues, pedagogë e studentë, në mënyrë që mësimi të nisë fizikisht në auditore dhe për një mbarëvajtje sa më të mirë të vitit të ri akademik.

“Kemi deri më sot më shumë se 66% të pedagogëve, mësuesve dhe edukatorëve të vaksinuar me dy doza. Pra jemi në një përqindje relativisht të mirë të mbulesës vaksinale për kategorinë e arsimtarëve. Por fokusi është që të rrisim mbulesën vaksinale sepse vaksinat shpëtojnë jetën. Reduktojnë dhe ulin fatalitetet deri në 100%, ulin rastet e hospitalizimeve, pasi shmangin rastet e rënda apo format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu edhe krijojnë uljen e transmetueshmërisë”, tha Manastirliu.

Teksa u shpreh se ditën e sotme vijnë 30 mijë doza nga Pfizer, Manastirliu tha se qeveria do të sigurojë vazhdimësinë e furnizimit me vaksina.

“Sot mbërrijnë më shumë se 30 mijë vaksina të Pfizer në Shqipëri. Qeveria është duke punuar për të rritur mbulesën vaksinale, por për të rritur edhe disponibilitetin në vaksina. Ndaj jemi duke punuar për të përfunduar dhe për lidhjen e kontratës së re me kompaninë Pfizer për mbi 500 mijë doza vaksine, të cilat dhe këto pritet të vijnë në këtë tremujor të fundit të këtij viti. Pra deri në dhjetor do të kemi edhe 500 mijë vaksina të tjera të kompanisë Pfizer që do të vijnë”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për njohjen e pasaportës së vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Pasaporta e vaksinimit apo “green pass” është një pasaportë e cila është e vlefshme edhe për në vendet europiane. Pra mjafton që nëpërmjet e-Albania të kesh dhe të marrësh atë “green pass” dhe te aksesosh edhe në vende të tjera. Sepse është vënë tashmë kufizim, por fatmirësisht ne e kemi të njohur në sistemet tona elektronike bashkë me ato sisteme të Bashkimit Europian. Jemi duke punuar gjithashtu edhe përsa i përket çertifikatës së shërimit dhe çertifikatës së testit, që dhe këto janë paralel dhe jemi duke punuar për t’i realizuar edhe këto njohje nëpërmjet sistemeve të përbashkëta që BE edhe me sistemin tonë të e-Albania janë duke u integruar” deklaroi Manastirliu.

Krahas pikave të përqëndruar dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. Prej fillimit procesit janë kryer në total 1,649,884 vaksinime. 731,577 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,013,720 vaksina antiCOVID.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat