Berisha, sfidë Bashës: Eja me mua në bazë

Shqipëria

Berisha, sfidë Bashës: Eja me mua në bazë

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 23:40
Sali Berisha

Turi i takimeve i ish-Kryeministrit Sali Berisha u ndal këtë të martë në Peshkopi. “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, u zhvillua në Pallatin e Kulturës të Dibrës.

Më herët, Berisha ka zhvilluar takime me demokratët në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë dhe Kukës.

Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Sali Berisha e fton Lulzim Bashën në takimin që zhvilloi pasditen e martë në Dibër t’i bashkohet foltores dhe të diskutojë me anëtarësinë demokrate, qoftë dhe duke kundërshtuar atë.

Atë e ka kapur një frikë e madhe. Ai ka frikë nga ju. Ai rri brenda katër mureve, bashkëqëndron me Edi Ramën dhe pastaj thotë po shpifin për mua. Po kush po thotë? Hajd tako anëtarët. Hajde këtu, edhe me mua hajde këtu, shpreh mendimet tua. Këtu jemi në kolektivitet. Çfarë do bëjmë? Do thonë gjëra si i mendojnë duhet të jesh i përgatitur që t’i dëgjosh”.

Për të treguar karakterin e tij të dobët të Lulzim Bashës, ish-kryeministri nuk nguron të zbulojë për dibranët dhe biseda konfidenciale me atë që e quan ish-kryetari i Partisë.

Berisha thotë se Kuvendit Kombëtar do t’i propozojnë dhe ndryshime në programin politik të PD. Ish-kryeministri di dhe mënyrën sesi rrëzohet nga pushteti Edi Rama, çka Lulzim Basha sipas tij nuk ka ditur ta bëjë në këto 8 vite.

Gjatë fjalës së tij ish-kryeministrit Berisha bëri të ditur se 2/3 delegatëve kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ku ndër të tjera pritet të diskutohet vendimi i Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit që ka kryer në Peshkopi ka treguar një bisedë që ka pasur me Lulzim Bashën para 2 muajve. Berisha thotë se i ka kërkuar Bashës që të mos përzihet në punët e tij pasi nuk i ka kërkuar ndihmë askujt dhe çështjen e tij e ka dërguar në gjykatë.

Megjithatë, Berisha ka treguar një episod për një shprehje popullore që përdoret në Hot. E teksa rrëfeu se si ia ka shpjeguar Bashës kuptimin, kjo ka shkaktuar të qeshura mes simpatizantëve të Berishës, të cilët ishin mbledhur këtë të martë në Pallatin e Kulturës.

Pastaj del e thotë se jam dhe Bashë, jam dhe Hot. Prisni.  Para dy muajsh bëjmë një muhabet me të. Edhe i them “Lul mos i përziej në këtë punë, unë nuk i kam kërkuar ndihmë askujt. Nuk i kërkoj askujt ndihmë e kam çuar në gjykatë”. Edhe i them “hotianët kanë pasur një fjalë”. “Çfarë?” tha. “Ndihma e Zotit, pushka e Hotit”. “Çfarë do të thotë”, tha. I them, “Kjo do të thotë ndihma e Zotit, penda ime”. Ky thotë jam edhe kështu. Problemi është këtu, se edhe Basht edhe Hoti kanë pasur burra të penës dhe të pushkës, burra të betejave dhe fitimtarë, por ti zotëri nuk numëron asnjë gjë tjetër veçse humbje, humbje dhe beteja të dorëzuara. Kjo është e vërteta. Për të mos e thënë atë tjetrën pastaj se si tek Basht edhe tek Hoti edhe tek çdo fis, besëpreri është…, e dini vetë, nuk po flas”, tha Berisha.

Shpallja non grata, Berisha-Bashës: Mos u përziej. Do shkoj në sallë të gjyqit

Nga Peshkopia Sali Berisha ka komentuar dhe shpalljen e tij non grata, duke shprehur se është i pafajshëm dhe nuk do e pranonte kurrë fajin përderisa është i pafaj, është i pathyeshëm ndaj mashtrimeve dhe mbron dinjitetin e tij dhe të gjithë simpatizantëve të Partisë Demokratike. Sipas tij shumë përfaqësues të shquar e kanë quajtur shpallja e tij non grata është si një akt hakmarrës të Xhorxh Soros dhe Edi Ramës. Ai i bën thirrje Bashës që të mos përzihet më fare me këtë punë sepse ai nuk i kërkon ndihmë askujt në tokë dhe përballet vetëm me gjykatën.

Mbetem  përjetësisht besimtari i dinjitetit njerëzor dhe i them kryetarit mos u përziej në këtë punë fare ti. I them që njoh me qindra dhe mijëra personalitete SHBA, Europë dhe kudo, por njeriut mbi tokë unë nuk i kërkoj ndihmë. Do shkoj drejt e në sallën e gjyqit dhe aty do përballemi në gjykatë sepse edhe gjykatë dhe ndihmë nuk shkon”, është shprehur Sali Berisha.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat