Plehrat/ Rama paralajmëron kryebashkiakët: Do administrojmë vetë bashkitë dhe kryetarët e tyre do i çojmë në prokurori

Shqipëria

Plehrat/ Rama paralajmëron kryebashkiakët: Do administrojmë vetë bashkitë dhe kryetarët e tyre do i çojmë në prokurori

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 15:14
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama këtë të premte nuk i ka kursyer kritikat për krerët e bashkive dhe perfektët në lidhje me menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve në territor.

Kreu i ekzekutivit tha se Qeveria nuk do rrijë duarkryq për këtë situatë, pasi plehrat janë anë e mbanë vendit, dhe do të ndërhyet drejtpërdrejt. Rama u shpreh se asnjë buxhet nuk do të kalojë nga këshillat bashkiak, nëse nuk parashikohet kostimi i pastrimit.

Kryeministri theksoi se do të bashkëpunojë ngushtësisht me kryetarët në lidhje me këtë çështje.

Por fjalët po shterrojnë dhe ligji parashikon shumë qartë se kryetarët e bashkive janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj për veprime të kësaj natyre. Ne do të ecim me sanksione dhe sanksionet do të shkojnë deri në marrjen e bashkisë dhe sigurisht me çuarjen respektive e kryetarit të bashkisë në Prokurori. Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk do të gjejmë partnerët e duhur në territor”, tha Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të menaxhojnë mbetjet e përditshme nga ana financiare.

Sikur i gjithë buxheti i bashkisë të shkojë për pastrimin do shkojë për pastrimin, asnjë gjë tjetër nuk është më e rëndësishme sesa pastrimi”, tha ai më tej.

Kryeministri nënvizoi se bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje në rrugët kombëtare.

Në shkelje të plotë të atij ligji që është shkelur me 4 këmbët në të shuarën, 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare nuk mund të zhvillohet asgjë. Kemi bregdetin që është bërë problem i madh dhe do të jetë problem më i madh se çdo vit edhe më shumë rritet numri i turistëve”, tha ai.

Më tej Rama tha se sot që po flasim në territorin e Republikës së Shqipërisë, kemi një numër të papranueshëm vend-depozitimesh abuzive, të paligjshme dhe kriminale në raport me mjedisin.

Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon, qendrën dhe periferitë, por edhe zonën rurale. Për fat të keq, sot që po flasim në territorin e Shqipërisë kemi një numër të papranueshëm vend-depozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminale në raport me mjedisin por edhe në shkelje të plotë të detyrimeve ligjore të cilat çdo ditë përdoren nga ju. Kemi pastaj pirgjet e plehrave, lart dhe poshtë, që janë të panumërta anë e mbanë vendit. Të cilat, jo çdo ditë, pastrohen prej jush”, tha Rama.

Apeli për kryebashkiakët: Është e paimagjinueshme dhe për ta thënë fjalën e fundit, kjo bisedë s’do bëhej para disa vitesh, sepse do na mungonin pikat fundore, sot i keni këto pika dhe duhet të merrni masa që të gjitha mbetjet të shkojnë në pikat fundore. Asnjë lloj vend depozitimesh i paligjshëm nuk do të tolerohet, do të sanksionohen bashkitë dhe buxheti i bashkive, do të shkohet deri në marrjen në administrim të bashkisë, e merr qeveria në administrim bashkinë. Nëse shkojmë në atë pikë kryetari i bashkisë bashkë me gjithë të tjerët do të shkojnë të përgjigjen për gjithë këtë gjënë, shpresoj që s’do të jetë nevoja të shkojmë në atë pikë.

Rama për rrugët kombëtare: Janë një problem më vete. Dhe ju nuk mund të konsideroheni përgjegjës, pavarësisht se kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme për karburante, futeni edhe tek rrugët kombëtare. Por kur vjen puna për t’i pastruar rrugët kombëtare, nuk hyni edhe pse nuk j’ua kërkon kush. Nuk e di nëse e patë atë karburantin e prishur dje. Për atë karburant të prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në Bashkinë e Lushnjës, sepse bashkitë nuk kanë asnjë të drejtë të japin asnjë leje në rrugët kombëtare. Për më tepër në rast të atij ligji që është shkelur me këmbë në të shkuarën dhe që thotë se 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare, nuk mund të zhvillohet asgjë. Pa diskutuar pjesën se as pas 20 metrash nuk mund të zhvillohet asgjë. Në rast se është tokë buke, bëhet ndryshim destinacioni etj, etj.

Rama për bregdetin: Është bërë një problem i madh dhe, do të jetë një problem, gjithmonë edhe më i madh, sepse çdo vit e më shumë rritet numri i turistëve. Po ndërkohë përtej sezonit, kemi këto pamjet këtu, që janë e përditshmja e dhimbshme, e turpshme e Bashkisë Himarë. Që është simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut.

Rama për zonat e mbrojtura: E kam thënë edhe në paraqitjen e Programit të Qeverisë. Qeveria nuk do të rrijë më në këtë pozicion, por do të ndërhyjë drejtpërdrejt. Për këtë arsye, janë këtu edhe perfektët, buxheti i asnjë Këshilli Bashkiak nuk do të kalojë në rast se në atë buxhet nuk është parashikuar kostimi për menaxhimin e mbetjeve të territorit, për të cilin qeveria do të punojë për ju. Ministrja do të jetë vetë në mbledhjen e këshillave bashkiakë. Do të ishte mirë që kryetarët e bashkive të mos e merrnin hapin që t’i çonin këshillit një buxhet, ku pastrimi dhe dalja përfundimisht nga kjo epokë, mos të jetë parashikuar aty në buxhet. Asnjë bashki nuk e ka asnjë problem që të mos mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare. Por, edhe sikur i gjithë buxheti i bashkisë të shkojë për pastrimin, do të shkojë për pastrimin. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa pastrimi.

Rama për rritjen e tarifave të bizneseve: Se mos kujtojë njeri se çfarë u tha ‘tarifat’ dhe ju të rrisni tarifat, rritjani atyre që ndotin më shumë, jo pensionistëve dhe jo familjeve, t’jua rrisni bizneseve që ndotin më shumë. Nuk ju kushton gjë t’ju thoni që zotrote gjithë këto plehra, se kazanët nuk i stërmbushin qytetarët, por bizneset duhet të hyjnë në një tjetër metodologji dhe duhet t’i lënë mbeturinat nëpër thasë në një orë të caktuar në një pikë afër lokalit, jo nëpër kazanë, kazanët janë për konsumin familjar, si në gjithë botën. Nëse kalon në rrugët e Parisit, janë të mbushur me thasë të zinj që janë në anë të dyerve, në atë orë vijnë i marrin makinat dhe s’ka asgjë dhe po të shkosh në kazan dhe të jesh biznes të mbyllin biznesin. Po kush iu bën këto? I bën kryebashkiaku, duke u zgjuar i pari dhe duke fjetur i fundit, duke mos mbyllur sytë derisa pika e fundit të jetë pastruar. Na rroftë rritja e numrit të turistëve, nëse i shoqërojmë me rritjen e pirgjeve. Mjaftojmë ne, mjafton kjo sallë që kjo situatë të përmbyset pa diskutim në një kohë të shkurtër dhe sezoni i ardhshëm të jetë gjë tjetër.

Rama për dy bashkitë model: Bashkia Lezhë! Shkoni në Lezhë, j’ua sugjeroi ministrja jo metaforikisht por j’ua sugjeroj praktikisht. Shkoni në Lëzhë dhe shikoni plazhin, shikoni qytetin po të doni shkoni dhe shikoni edhe zona rurale dhe shkoni edhe gjejeni një vend-depozitimi ilegal. shkoni gjeni pirgje që rrijnë aty me javë dhe shkoni edhe kur është sezoni turistik që shumëfishohen nevojat dhe faktikisht buxheti i bashkisë nuk shumëfishohet dhe bëni një xhiro në rërë dhe gjejeni një copë letër atje. Ky është vullneti dhe mirë administrimi. Nuk është rastësi që nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë, Bashkia e Lezhës, ka buxhetin më të madh të vendosur nga vetja dhe jo se ja ka dhënë dikush tjetër për menaxhimin e mbetjeve. Në respekt për veten.

Bashkia Maliq!  Shkoni në Maliq, shkoni shikoni, nuk është më e pasur se bashkitë e tjera dhe kur të gjeni plehra si ato, gjenden me shumicë në Himarë, si ato që janë në Dhërmi, edhe tani që flasim, më informoni edhe mua, do jemi shumë të surprizuar, çfarë ka Bashkia e Maliqit? Ka një njeri atje që nuk pajtohet dot me plehra. Vullneti dhe miradministrimi me atë që janë në këtë proces, operatorë privatë apo publik që e ka vendosur bashkia ta mbajë vetë, janë pjesë e autonomisë tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat