Rrugët publike të bashkisë së Belshit me ndriçues inteligjentë falë mbështetjes së Qeverisë së Bullgarisë

Shqipëria

Rrugët publike të bashkisë së Belshit me ndriçues inteligjentë falë mbështetjes së Qeverisë së Bullgarisë

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 18:58
Foto ilustrim

Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisē në Republikën e Shqipërisë, z.Momcil Rajchefski, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës së Bullgarisë ,Prof. Velislav Minekov si dhe zv.Ministrja e Kulturës së së Shqipërisë, Meri Kumbe, ishin gjatë kësaj të Premteje në Bashkinë e Belshit ku u pritën nga kryetari i kësaj Bashkie z.Arif Tafani si dhe autoritete të tjera të pushtetit vendor.

Ata morën pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e finalizimit me sukses të plotë të Projektit “All-in One Solar LED Street Lights” i cili realizoi ndriçimin rrugor të fshatrave Gradishtë, Hysë, Qafë Shkallë dhe Dragot në Bashkinë e Belshit. Ky projekt u realizua falë marrëveshjes për dhënien e ndihmës falas në kuadrin e ndihmës zyrtare për zhvillim që ofrohet nga Republika e Bullgarisë.

Nga realizimi i kētij projekti tashmë në këtë Bashki është përmirësuar menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore si dhe është mundësuar mbrojtja e mjedisit përmes instalimit të ndriçuesve inteligjentë nē rrugët publike me drita diode të rrezatimit efikas të energjisë (LED). Ky lloj ndriçimi siguron uljen e kostove të përdorimit të energjisë si dhe të kostove të mirëmbajtjes së rrjetit ndriçues.

Po kështu nëpërmjet këtij rrjeti në Bashkinë e Belshit që nga Tetori i këtij viti do të ulet ndjeshëm ndotja mjedisore si dhe do tē rritet dukshëm cilësia e fluksit të dritës .Nëpërmjet realizimit të këtij projekti do të mund të nxitet dhe do të promovohet lëvizja kreative e njerëzve në rrugët e fshatrave të kësaj Bashkie si dhe do të forcohet lidhja me komunitetin.

Nëpërmjet realizimit të këtij projekti synohet edhe rindërtimi i disa lagjeve të reja në Njësitë Administrative të Belshit si dhe do të krijohen potenciale të rēndësishme për hapjen e bizneseve të reja dhe të investimeve me peshë të cilat nxisin dhe fuqizojnë ekonominë e familjeve tē Bashkisë Belsh. Nga ky projekt aktualisht përfitojnë të paktën 3.400 banorë të Belshit dhe ky është investimi më i rëndësishëm i kësaj fushe për momentin në këtë Bashki.

Nga realizimi i këtij investimi është transformuar plotësisht infrastruktura e ndriçimit në një pjesë të rëndësishme të hapësirës ku shtrihet kjo Bashki. Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë, Momtchil Raytchevski duke vlerësuar me superlativë kryerjen e këtij investimi në Bashkinë e Belshit tha se Qeveria e Republikës së Bullgarisë çdo vit miraton ndihmë financiare falas në kuadrin e ndihmës për zhvillimin dhe realizimin e projekteve në vende të ndryshme.

Më pas Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisē në Republikën e Shqipërisë z.Momcil Rajchefski i shoqëruar nga Ministri i Kulturës së Bullgarisë, Prof. Velislav Minekov, pëfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë si drejtuesit e Bashkisë Belsh morën pjesë në ceremoninë e përurimit të rrugicës “Lika Janko ” në Parkun e Belshit.

Dhënia e emrit të piktores së famshme bullgare me origjinë shqiptare një rrugice në qytetin e Belshit është një vlerësim për këtë emër me përmasa botërore të piktores me origjinë shqiptare të cilësuar si “Pikaso me fustan” tha Ministri i Kulturës së Bullgarsë Prof. Velislav Minekov. Nga ana e tij Kryebashkiaku Arif Tafani në emër të komunitetit të fshatrave që përfitojnë nga realizimi i këtij projekti i shprehu mirënjohjen e pakufijshme Shkëlqesisë së tij, z.Ambasador i Bullgarisë në vendin tonë dhe e cilësoi praninë e ambasadorit në Belsh e të Ministrit të Kulturës së Bullgarisë të një rëndësie tejet të veçantë .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat