Bejko: Berisha do të marrë PD me çdo mënyrë

Shqipëria

Bejko: Berisha do të marrë PD me çdo mënyrë

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 22:44
Roland Bejko

Anëtari i Këshilli Kombëtar të PD-së, Roland Bejko thotë se ish-kryeministri Sali Berisha kërkon të marrë me çdo mënyrë drejtimin e partisë.

“Ai kërkon që më procedurë dhe pa procedurë kërkon që ta marrë PD. Kam përshtypjen se kjo punë do të përfundojë në gjykatë dhe do ta ndajë gjykata. Pse do ta marri Berisha drejtimin e PD? Se ka një hall, është shpallur ‘non grata’ nga SHBA”, tha ai.

Sipas Bejkos, “Berisha po e përdor nevojën e PD për t’u demokratizuar” edhe pse ka qenë 30 vjet në atë parti.

Ai bën thirrje që “kthimi në krye të PD i një autokrati si Berisha duhet ndalur në çdo mënyrë” dhe shtoi se “Basha ka qenë i kapur nga Berisha dhe tani i duhet lënë të provojë veten”.

Nisur nga kërkesa për të mbledhur Këshillit Kombëtar, Bejko tha se edhe nëse Berisha do të marrë shumicën nuk do të thotë se gëzon mbështetjen e anëtarësisë së PD.

Sipas tij, Berisha po kërkon që të përdorë PD për t’u mbrojtur dhe të jetë diktues në vendimmarrjen politike në Shqipëri.

“Berishës i duhet PD dhe do që ta marrin në qafë PD, ta ketë bunker për të qenë instrument në vendimmarrje politike në gjithçka që do të bëhet në Shqipëri. Ai është mësuar që në 30 vjet të jetë në tavolinë qendrore dhe tani që i kanë treguar kufirin nuk e pranon këtë fakt. Ai mendon që PD duhet të rrojë sa do të rrojë ai. Nëse do ta marrë drejtimin e PD duke shkelur këto procedura nuk do t’i them më doktor Berisha, por kolonel Berisha”, përfundoi Bejko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat