Mbyllet burgu i Zaharisë, nis transferimi i të dënuarve në Shënkoll

Shqipëria

Mbyllet burgu i Zaharisë, nis transferimi i të dënuarve në Shënkoll

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Ka filluar këtë të shtunë transferimi i personave që vuajnë dënimin në burgun e Zaharisë drejt atij të Shënkollit.

Burgu i Zaharisë në Krujë është vendosur të mbyllet dhe të gjithë të burgosurit me probleme të shëndetit mendor do të kalojnë në godinën e burgut të Shënkollit, në kushte më të mira si dhe në numër më të vogël personash në dhomë.

Janë rreth 320 të burgosur që pritet të transferohen, ndërkohë që gjysma e transferimeve është kryer gjatë ditës së sotme.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka inspektuar këtë mëngjes ambientet ku do të akomodohen pacientët e Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra.

Sipas Manjës qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë.

“Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, -ka thënë Manja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat