Komisionet për transfertat bankare kombëtare në Euro do të ulen, Banka e Shqipërisë vendos vlera tavan

Shqipëria

Komisionet për transfertat bankare kombëtare në Euro do të ulen, Banka e Shqipërisë vendos vlera tavan

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Shqipëria do të ketë së shpejti një sistem kombëtar transfertash edhe për Euron.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projekt-rregulloren që do të mundësojë për herë të parë shlyerjen brenda vendit të transfertave kombëtare në monedhën europiane.

Sistemi që do të mundësojë kryerjen e këtyre transfertave, AIPS EURO, do të integrohet te Sistemi i Pagesave Ndërbankare me Vlerë të Madhe (AIPS) i Bankës së Shqipërisë.

Ngritja për herë të parë e një sistemi të tillë ka rëndësi shumë të madhe për kryerjen e transfertave ndërbankare në Euro brenda vendit. Deri më sot, transfertat në Euro janë mundësuar vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

Por, kjo rrugë krijon vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në Lekë. Nëse një transfertë ndërbankare në monedhën Lek brenda vendit sot kushton maksimalisht 1500 lekë, transfertat në Euro kanë kosto në komisione disa herë më të larta. Vlera totale varet nga numri i bankave korrespondente të përfshira dhe nga komisionet që ato aplikojnë.

Projektrregullorja e përgatitur parashikon se agjent i shlyerjes së transfertave kombëtare në Euro do të jetë Banka e Shqipërisë, nëpërmjet sistemit AIPS EURO, ndërsa pjesëmarrëse në sistem mund të jetë bankat e licencuara tregtare (si edhe vetë Banka e Shqipërisë). Si pronare e sistemit, banka qendrore do t’iu vendosë vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që atom und t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10,000 Euro, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar ose jo më i lartë se një komision minimum prej 6 Euro.

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, por që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve minimum jo më të lartë se 3 Euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 000 Euro.

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 Euro, pavarësisht nga shuma.

Gjithashtu, projekt-rregullorja parashikon se për transfertat e kryerja përmes këtij sistemi në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje. Me miratimin e rregullores së re, përdorimi i këtij sistemi bëhet i detyrueshme për të gjitha bankat tregtare në Shqipëri. Transfertat e urdhëruara në monedhën Euro, me origjinë dhe destinacion brenda Republikës së Shqipërisë, për klientë të pjesëmarrësve në sistemin AIPS EURO duhet të realizohen vetëm nëpërmjet sistemit AIPS EURO. Përjashtim mund të bëjnë vetëm situatat që përbëjnë ngjarje të paparashikuara dhe është i pamundur realizimi i

tyre nëpërmjet këtij sistemi dhe në rast të pamundësisë së realizimit të veprimit brenda orareve të operimit të sistemit AIPS EURO kur ofrohen rrugë alternative që e mundësojnë atë.

Ngritja e një sistemi të tillë pagesash ka rëndësi të madhe, për shkak të shkallës së lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar. Me rregulloren e re, kostot e shqiptarëve për të transferuar Euro mes llogarive brenda Shqipërisë do të pësojnë një ulje drastike.

Gjithashtu, kjo do të ulë nevojën për veprime cash me Euron. Aktualisht, për shkak të komisioneve të larta, shumë individë preferojnë t’i tërheqin paratë në sportel dhe t’i depozitojnë sërish në sportel, në rastet kur duhet të kryejnë pagesa apo zhvendosje fondesh nga njëra bankë tek tjetra. Me funksionimin e sistemit AIPS EURO, komisionet do të ulen ndjeshëm dhe parashikohet që, në shumicën e rasteve, një praktikë e tillë të reduktohet ndjeshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat