Ministeriali i NATO-s, Xhaçka: Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të Aleancës

Shqipëria

Ministeriali i NATO-s, Xhaçka: Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të Aleancës

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 09:55
Ministrja e Punëve të Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka

Ministrja e Punëve të Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC) në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili po zhvillohet në Riga të Letonisë me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Xhaçka nënvizoi rëndësinë e veçantë të integrimit të plotë euroatlantik, derisa bëri thirrje që Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të konceptit strategjik të NATO-s.

“Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO-s. Por sot ka ardhur koha që të shkohet një hap më përpara duke e përfshirë Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022,  duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po përpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur dasi e destabilitet përmes taktikave hibride”.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate trajtuan çështje me rëndësi për sigurinë euroatlantike duke bërë një vlerësim të mjedisit të sigurisë, përfshirë situatën në kufijtë e Polonisë, Lituanisë, Letonisë me Bjellorusinë. Ministrat aleate trajtuan gjithashtu dhe përforcimet ushtarake Rusisë në dhe përreth Ukrainës.

Vizita e ministres Xhaçka në Letoni vjen pas Forumit të Gjashtë të Unionit të Mesdheut që u mbajt në Barcelonë, në fillim të kësaj jave.

Sot pasdite, kryediplomatja shqiptare do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të mbahet Ministeriali i 28-të i Këshillit të OSBE-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat