Sassoli: BE-ja pa Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor, ka një boshllëk të madh

Shqipëria

Sassoli: BE-ja pa Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor, ka një boshllëk të madh

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 13:42
Foto nga takimi

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli. Vizita e znj. Nikolla u realizua në kuadrin e përpjekjeve për të lobuar për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021.

Kryetarja Nikolla e falenderoi Presidentin Sassoli për mbështetjen e tij të fuqishme, personale dhe institucionale, për avancimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.

“Nisma juaj për të vendosur një dialog ndërmjet Parlamentit Evropian dhe kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e lëvizjes së vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Pavarësisht sfidave dhe ndikimit të pandemisë COVID-19, Shqipëria ka avancuar në reformat e rrugëtimit drejt BE-së dhe ka përmbushur të gjitha prioritetet e vendosura nga Këshilli Evropian. Ne kemi besim se Parlamenti Evropian do të ndikojë për mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021. Shqipëria ka pranuar qasjen e bazuar në merita për bisedimet e anëtarësimit dhe tani është radha e BE-së për të mbajtur premtimet dhe për të na sjellë më pranë Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se është e padrejtë që mbajtja e Tryezës për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut të pengohet nga faktorë që nuk kanë lidhje me plotësimin nga vendet tona të standarteve integruese.”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Kryetarja Nikolla informoi Presidentin Sassoli për ecurinë e zhvillimeve dhe të reformave në vend dhe përpjekjet për të ndërtuar një klimë pozitive dhe dialog konstruktiv me opozitën. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi ka dhënë rezultate të mira dhe po avancon pozitivisht.Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë tashmë funksionale, ndërsa vetting-u po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe po jep rezultate të prekshme.

Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe Europolin. Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), janë funksionale.

Shqipëria vazhdon të ruajë një normë 100 përqind të përafrimit me politikën e jashtme të BE-së dhe ka vazhduar të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me vendet fqinje, për të adresuar çështjet dypalëshe dhe për të garantuar marrëdhënie të mira fqinjësore.

Kuvendi i Shqipërisë po lehtëson gjithashtu avancimin në rrugën e integrimit në BE, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Delegacionin e Parlamentit Evropian në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri si edhe përmes diplomacisë parlamentare e bashkëpunimit për iniciativa rajonale ose evropiane.

Presidenti i Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli, e falenderoi Kryetaren e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, për informimin mbi arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e reformave integruese si edhe për kontributin e Kuvendit në mbështetje të legjitimitetit të këtij procesi dhe nënvizoi se marrëdhwniet e Parlamentit Europian me Shqipërinë dhe Kuvendin janë të shkëlqyera dhe Parlamenti Evropian ka pasur një impenjim konstant për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Parlamenti Europian do të vazhdojë të insistojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet sa më shpejt. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat që i rekomandoi Këshilli Evropian në vitin 2020. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria ka stabilitet politik. Parlamenti Evropian do të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian. Sepse Bashkimi Europian pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ka një boshllëk të madh dhe të dukshëm. Ne nuk duhet që me vonesat tona në procesin e zgjerimit të zhgënjejmë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe të lejojmë hapësira për influenca joperëndimore në rajon. Parlamenti Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do t`ju ndihmojmë edhe gjatë procesit të negociatave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat