Shkodra nën ujë, zonat malore nga jugu në veri të bllokuara e pa energji si pasojë e motit të keq

Shqipëria

Shkodra nën ujë, zonat malore nga jugu në veri të bllokuara e pa energji si pasojë e motit të keq

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 19:07
Shkodra nën ujë si pasojë e motit të keq

Stuhi shiu e ere kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat malore reshjet janë në formën e dëborës. Shkodra u përmbyt, fshatra në veri e jug të vendit mbeten të izoluar dhe pa energji elektrike. Probleme edhe në zonat bregdetare.

Moti i keq me reshje shiu e borë përfshiu vendin prej të premtes.

Këto pamje tregojnë situatën e krijuar në Shkodër.

Kolektorët nuk arritën të përballojnë prurjet intensive që zgjaten për rreth një orë e  për pasojë uji në rrugë arriti disa centimetra.

Situatë e ngjashme nga Sheshi Nënë Tereza në qendër deri në lagjet periferike Parrucë, Xhabije e Rus.

Këmbësorët u detyrën të zhysin këmbët nën ujë ndërsa makinat ngjanin si varka!.

Në Alpe reshjet ishin në formën e borës që mban të izoluara rrugët drejt fshatrave të turistikë.

Në Korçë, fshati Panarit mbetet i izoluar prej 5 ditësh dhe bashkë me Selenicën, Pishën, Ballabanovën vuan mungesën e energjisë elektrike.

OSHEE thotë se stuhia ka dëmtuar 6 shtylla druri dhe 8 shtylla betoni si dhe janë këputur përcjellësa dhe izolatorë, ndërsa remonti vështirësohet nga dëbora që arrin në 40 cm trashësi.

Reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë krijuar probleme edhe në zonat malore të qarkut Berat

Aksi nacionale drejt Skraparit është e kalueshme, ndërsa rrugët drejt  fshatrave: Potom, Baçkë, Leshnje, Gradec, Çukë dhe Qafë-Dërvi kalohet vetëm me zinxhirë.

Disa fshatra vuajnë mungesën e energjie elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës.

Reshjet e shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin po krijojnë rrëshqitje dherash e gurësh në shumë rrugë nga veriu në jug, ndaj kërkohet kujdes.

Furtuna në zonat bregdetare ka detyruar pezullimin e lundrimit për anijet e vogla dhe Peshkarezhat në Vlorë dhe Durrës.

Tragetet e linjave me Italinë vazhdojnë lundrimin, por me vonesa për shkak të kushteve atmosferike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat