Voa: Presidenti Meta e komentoi si zhgënjyes vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore

Shqipëria

Voa: Presidenti Meta e komentoi si zhgënjyes vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 00:23
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehu sot “zhgënjim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjet vendore te 30 qershorit”, e cila sipas tij, “ndoqi interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar”.

Në emër tij këshilltari juridik Bledar Dervishaj, deklaroi para shtypit se me vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese hoqi dorë nga funksioni i saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve.

“Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare, duke mos iu përgjigjur pyetjeve që ju parashtruan në çështjen objekt shqyrtimi” - deklaroi zoti Dervishaj.

Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk dha një vendim themeli dhe se me vendimmarrjen e saj, Gjykata nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues.

“Për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, Gjykata Kushtetuese, gjatë veprimtarisë së saj, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor” - thotë zoti Dervishaj për shtypjn.

Ai shprehu habinë se si “vendimi i Gjykatës nuk prek, nuk krijon asnjë detyrim, dhe nuk nxjerr asnjë përgjegjësi”, për asnjë nga palët e përfshira në këtë proces.

“Askush nuk është i detyruar të ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e këtij vendimi, për sa kohë ky vendim nuk thotë asgjë, përveçse rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë” - thotë këshilltari i Presidentit të Republikës.

Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk e përmbushi misionin e saj sublim, por qëllimisht vendosi të qëndrojë mënjanë, e la çështjen të pazgjidhur, sepse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, u mbajtën nga Qeveria, Kuvendi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pa Dekret të Presidentit, në një datë që nuk ishte përcaktuar si datë zgjedhjesh sipas Kushtetutës.

“Sipas këtij vendimi, forca qeverisëse në pushtet, ka mundësinë që në mënyrë arbitrare dhe antikushtetuese, të interpretojë e më pas të realizojë zgjedhjet në Shqipëri, në datën apo momentin kur ajo dëshiron, apo edhe të mund të vendosë të mos kemi fare zgjedhje” - tha zoti Dervishaj.

Ai shtoi se me vendimin e fundit "Gjykata Kushtetuese aktuale i hapi dyert antikushtetutshmërisë, abuzimit me Kushtetutën dhe ligjin, dhe imponimit të dhunshëm të pushtetit të radhës”.

Afro një muaj më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur si antikushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Gjykata Kushtetuese njoftoi se vendimin e mori pasi dëgjoi palët në gjykim, dhe pasi shqyrtoi Opinionin e Komisionit të Venecias.

Në opinionin e tij Komisioni i Venecias, kishte thënë se Gjykata nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore.

Opinionet e Venecias nuk janë detyruese për Gjykatën Kushtetuese, por historikisht ato janë respektuar.

Zgjedhjet e 30 Qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar, pavarësisht se presidenti Ilir Meta e anulloi atë, duke vendosur një datë tjetër.

Në dy Opinione të vetat për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka vënë në dukje se “bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, nuk mund të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat