Atë që turku nuk e bëri për 500 vjet, Enveri për 50, Rama ua bëri kurbinasve për 1 ditë

Shqipëria

Atë që turku nuk e bëri për 500 vjet, Enveri për 50, Rama ua bëri kurbinasve për 1 ditë

Më: 17 janar 2022 Në ora: 16:50
Recep Tayyip Erdogan u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit”

Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Protokollet e politikës janë të rrepta dhe shumë shpesh të kurdisura për të dhënë mesazhe.

Politika është art i vështirë për shumicën dhe kur ndodh që mesazhet e përcjella janë ashiqare të qarta ka diçka që nuk shkon, nënkupton se politikanët që i përcjellin nuk i tremben as popullit të tyre, as votës dhe as vetë historisë.

Kjo ka ndodhur sot, ditën e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar të shqiptarëve.

Po e themi që në fillim që të mos keqkuptohet askush: shqiptarët duhet dhe janë mirënjohës për ndihmën e dhënë nga Turiqa, jo vetëm për pasojat e tërmetit të nëntorit të 2019.

Për një shtet të varfër si Shqipëria është thelbësore ndihma e dhënë nga qeveria Turke, jo vetëm për ndërtimin e 535 apartamente ne Laç të Kurbinit  por për çdo rast kur dora është shtrirë për ndihmë.

Por le të jemi të sinqertë deri në fund. Po flasim për politikë dhe asgjë nuk është gratis. Në këmbim, gjatë 8 viteve pushtet Edi Rama i ka dhënë Erdoganit 4 koncensione të rëndësishme, pa përmendur detyrat e shtëpisë që kryeministri shqiptar i ka përmbushur me vullnet, për çdo porosi të “vëllait” apo siç thotë ai “mikut të ngushtë turk”.

Pakte politike? Ndoshta!

Po asaj që ndodhi sot çfarë emri do t’i vendosë historia e Shqipërisë?

Është infantile të besosh se inaugurimi i banesave të ndërtuara nga turqit në Laç të Kurbinit, u la pikërisht me 17 janar, ditën e 554 vjetorit te vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

A ka protokoll ky vend? A ka dinjitet?

Vini re detajet e pritjes se Erdoganit në Laç. Sapo presidenti turk shkel qytetin, jehon muzika turke, flamujt, detajet, përulje deri në tokë. Dhe ku? Në Kurbin!

Nëse ka një trevë që kurrë nuk u mposht as nga turqit, as nga diktatura më e egër në Evropë e Enver Hoxhës për 50 vjet, që nuk ndërroi as fe, as gjuhë e as tradita është pikërisht kjo trevë që përmbyllet në Mirditë. Është fillimi i një krahine ku Gjergj Kastrioti u vendos e luftoi për lirinë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Edhe sikur vetëm për respekt të tij, të historisë shqiptare, por mbi të gjitha të asaj që ajo trevë përfaqëson, protokolli i Kryeministrit Shqiptar duhet të kishte menduar një datë tjetër.

A është rastësi? Zor të besohet. Më shumë se gabim apo dritëshkurtësi kjo është mendësia e një qeverisjeje që ka shkelur çdo parim, etikë e nder të këtij vendi.

Është mendësia e një klase politike të udhëhequr nga Edi Rama, që nëse ka një gjë për të cilën do të përmendet në histori është që, atë që turku nuk e bëri dot për 500 vjet, ky e bëri për një ditë.

Edi Rama çnderoi bashkatdhetarët e vet!/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat