Vrasja e 64-vjeçares/ Kryeplaku i fshatit, version tjetër nga i Policisë në lidhje me borxhin

Shqipëria

Vrasja e 64-vjeçares/ Kryeplaku i fshatit, version tjetër nga i Policisë në lidhje me borxhin

Më: 22 janar 2022 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Media ka zbuluar detaje të reja nga krimi i rëndë që u regjistrua mbrëmjen e së enjtes në zonën e Kuçovës, ku një grua 64-vjeçare është mbytur dhe më pas është hedhur në një kanal.

Fatime Suli, banuese në fshatin Kozare, u mbyt në mënyrë makabre nga një 58- vjeçar. Burime nga Policia e Beratit bënë me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxheve që e moshuara kishte ndaj autorit të dyshuar, shtetasit Fetah Narra.

Kryeplaku hedh dyshime: Pse e vrau 58-vjeçari të moshuarën

Duke reaguar për ngjarjen e rëndë, kryeplaku i fshatit Kozare, Jemin Leshi, tha se nuk ka pasur dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm mes viktimës dhe autorit.

Ai tha se 64-vjeçarja Fatime Suli ishte një grua punëtore dhe familja e saj nuk kishin probleme në zonë.

Lidhur me autorin, ai tha se jetonte i vetëm dhe nuk kishte shoqëri. Kryeplaku hedh dyshime se Fetah Marra ka dashur të abuzojë me 64-vjeçaren dhe teksa ajo ka refuzuar, e ka mbytur.

“Me këtë person nuk e dija që të kishte ndonjë konflikt. Ai që e ka bërë nuk është shumë në rregull, nuk ka as familje. Nuk më shkonte mendja tek ai njeri për këtë krim. Ajo më është ankuar për probleme bagëtish, por me këtë person nuk e dija. Familja e viktimës, familje punëtore, familje në hallin e vet. Ishte nervoz.

Ata janë miq dhe me atë takohej shpesh dhe nuk kanë pasur probleme. Fetahu nuk dilte në shoqëri, nuk komunikonte. Kishte 10 bagëti e me to merrej. Mbase ai ka dashur të abuzonte me të se s’ka pasur arsye tjetër”, tha kryeplaku për “News 24”.

Të afërm të familjes Suli thonë se autori i krimit ishte një mostër dhe se ishte divorcuar disa herë.

Ata kërkojnë që autori të marrë ndëshkimin maksimal.

Si u identifikua autori 

Pas gjetjes së trupit të pajetë të Fatime Sulit, Policia lokale nisi menjëherë hetimet për të zbuluar autorin e vrasjes së gruas. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, me anë të të cilave u bë zbulimi i autorit të ngjarjes.

Fetah Narra ishte komshi me viktimën, por që kishin edhe krushqi midis tyre. Shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë një borxh që 58-vjeçari i kishte familjes Suli, i cili refuzonte ta kthente.

Fatime Suli jetonte me bashkëshortin e paralizuar dhe ishte nënë e 2 fëmijëve të martuar, një djali e një vajze. Nga ana tjetër, Fetah Narra jetonte i vetëm pasi ishte divorcuar nga bashkëshortja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat