Shtëpi të re për 226 familje/ Durrës, në Manzë po përfundon ndërtimi i 9 pallateve

Shqipëria

Shtëpi të re për 226 familje/ Durrës, në Manzë po përfundon ndërtimi i 9 pallateve

Më: 22 janar 2022 Në ora: 19:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Procesi i rindërtimit po vijon me ritme të shpejta në territorin e bashkisë së Durrësit ku Manza ishte një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

Në lagjen e re të Manzës punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare. Gjatë një inspektimi në zonë,  kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u shpreh se shumë shpejt familjet e para që jetojnë në kontenierë dhe banesa me qira do të hyjnë në banesat e reja.

Këtu kemi 226 apartamente të reja që do shërbejnë për të strehuar familjet e dëmtuara në 9 pallatet që u shembën në këtë njësi administrative. Është hedhur shorteu për një pjesë dhe më 27 kemi fazën e dytë të shortit. Në fillim të muajit shkurt do të futen familjet e para në këto banesa”, tha Emiriana Sako.

Përveç lagjes së re në Manëz dhe dy pallateve të ndërtuara në qytetin e Durrësit që janë në përfundim e sipër, rindërtimi vijon dhe me ndërhyrje të tjera thelbësore për qytetarët.

Përveç dy siteve të Manzës dhe Spitallës ku janë lidhur kontratat, e ka filluar loti i parë i punës për 15 pallatet e para, ka filluar puna për objektet DS4 dhe brenda janarit do të fillojmë riforcimin strukturor të 13 objekteve të tjera në qytet dhe plazh. Kemi përfunduar dhe 265 banesa individuale. Kemi mbaruar dhe 16 shkolla dhe presim të nisë faza e dytë e punës me fonde të BE-së“,  tha Sako.

Edhe këtë vit, sipas Sakos, procesi i rindërtimit do të vijojë të jetë prioritet për bashkinë e Durrësit, duke ofruar cilësi punimesh dhe siguri për banorët e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat