Reagime në Tiranë për Raportin Vjetor të Organizatës Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit

Shqipëria

Reagime në Tiranë për Raportin Vjetor të Organizatës Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit

Më: 25 janar 2022 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Raporti vjetor i Organizatës Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në Botë u përcoll në Tiranë me reagimet e përfaqësuesve më të lartë shtetëtorë dhe politikë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e cilësoi si një konfirmim të bindjes dhe perceptimit të qytetarëve shqiptarë dhe të atij vet mbi abuzimet me fonet publike.

Në një mesazh në FB Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje “t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit, i cili ka vazhduar përkeqësimin në Shqipëri”.

Ai theksoi se edhe më herët kishte paralajmëruar mbi nivelin e ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe incineratorëve”.

“Kjo situatë e rëndë kërkon reflektim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm, sepse vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre” - thotë zoti Meta.

Ndërsa ministri i drejtësisë dhe koordinatori kombëtar kundër korrupsionit, Ulsi Manja, e komentoi raportin vjetor të perceptimit të korrupsionit “si një shtysë dhe ndihmesë më shumë në përpjekjet kundër kësaj dukurie”.

Zoti Manja shtoi se edhe sipas raportit të sotëm të TI “lufta ndaj korrupsionit nuk është detyrë e vetëm një agjencie apo një institucioni shtetëror, por është bashkëpunim dhe ndërveprim”. Ai tha se “korrupsioni lind në shërbimet publike pa standard, dhe qeveria po përpiqet të përmirësojë këto shërbime, që të minimizojë mundësitë e korruptimit”.

Në dy muajt e parë të punës të drejtorinë antikorrupsion nga 611 raste të denoncuara janë trajtuar 200 praktika të dyshuara për shkelje, nga të cilat janë bërë 11 kallzime penale dhe janë referuar 48 masa administrative, kryesisht në kadastrat e Durrësit dhe Sarandës.

“Për Durrësin kemi kërkuar pushim nga puna pothuaj të gjithë drejtorinë, ose shkrirjen e kësaj drejtorie. Janë kontrolluar nga inspektorët tanë 215 dosje legalizimesh dhe në to mungojnë dokumentat e duhura, dhe janë bërë kallzime penale. Kemi hartuar një raport 386 faqe mbi shkeljet e legalizimeve në Durrës për periudhën gusht tetor 2021. Po ashtu edhe për kadastrën e Sarandës janë gjetur shkelje dhe u bënë kallzime penale për dy raste ish drejtori dhe ish përgjegjësit e kadastrës, që kanë bërë legalizime në kundërshtim me vendimet e gjykatave” – tha ministri Manja.

Opozita shprehu po ashtu shqetësimin e saj për keqësimin e perceptimit të korrupsionit në raportin vjetor të Transparency International.

Kryetari I Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se ky raport i fundit i “Transparency International” konfirmoi se korrupsioni është armiku i mirëqenies së shqiptarëve dhe se përhapja e tij në çdo nivel të qeverisë Rama po e mban Shqipërinë në vendnumëro.

“Lufta kundër korrupsionit është sot interesi kombëtar, për të çliruar vendin dhe institucionet e tij nga të korruptuarit. Një grusht i vogël njerëzish po mundohen ta mbajnë peng të ardhmen”, - theksoi zoti Basha, mbi raportin e Transparency International, i cili po gjen një pasqyrim të detajuar edhe nga mediat vendase./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat