PD kallëzim penal në SPAK kundër Erion Veliajt: Ndërtimi tek “5 Maji” iu dha një trafikanti droge

Shqipëria

PD kallëzim penal në SPAK kundër Erion Veliajt: Ndërtimi tek “5 Maji” iu dha një trafikanti droge

Më: 27 janar 2022 Në ora: 14:17
Gazment Bardhi

Partia Demokratike ka kallëzuar sot në SPAK Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Në kallëzim PD akuzon se Bashkia Tiranë si autoritet kontraktor ka kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen 5 Maj në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale.

Sipas Partisë Demokratike, Pronari i kompanisë është një person i dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, zotërues i shoqërisë Alesio 2014 sh.p.k. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg.

“Sipas ligjit për prokurimet publike autoriteti kontraktor ka detyrimin për të skualifikuar një operator ekonomik, kur anëtari i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak i kompanisë është i dënuar për organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, duke shpërdoruar detyrën dhe duke shkelur ligjin e prokurimeve publike, ka injoruar këtë detyrim, duke konsumuar veprat penale të sipërcituara”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Gjithashtu në kallëzim kërkohet nga SPAK që të kryhet një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm për aferën e projektit zhvillimor në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, dhe paraqitjen e kërkesës në gjykatë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj projektit, sipas nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, për të pezulluar këtë projekt deri në përfundim të hetimeve.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se po shpif ndaj demokratëve për të mbuluar skandalin e ndërtimit në lagjen 5 maji nga një trafikant droge i lidhur me familjarë të tij dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat