Në vitin 2020 erdhën në Shqipëri 2.7 milionë persona. Pushimet brenda vendit kompensuan rënien e të huajve

Shqipëria

Në vitin 2020 erdhën në Shqipëri 2.7 milionë persona. Pushimet brenda vendit kompensuan rënien e të huajve

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Turizmi përgjatë vitit 2020 ishte një nga sektorët më të goditur nga efektet e pandemisë por që nxiti pushimet brenda vendit, duke kompensuar disi rënien e ndjeshme të hyrjeve të të huajve.

INSTAT ka publikuar raportin “Turizmi në shifra 2020” i cili jep treguesit kryesorë mbi turizmin në Shqipëri, bazuar në dy anketa “Pushime dhe Udhëtime” dhe “Anketa e Strukturave Akomoduese”.

Sipas raportit, në vitin 2020,  hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë afërsisht 2.7 milionë persona ose 58.5% më pak se në vitin 2019, i cili deri më tani konsiderohet si viti më i mirë i turizmit. Hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj në vend, duke kapur shifrën prej 98.5% të totalit.

Turistët nga Kosova ishin ata që nuk na braktisën dhe e mbajtën gjallë këtë sektor, duke zënë hyrjen më të lartë të shtetasve të huaj prej 52%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 14%, Greqia me 8%, Mali i Zi me 7% dhe turistët nga Italia me 5%.

Ky raport tregon se në vitin 2020 janë regjistruar 1,4 % më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë në Shqipëri, krahasuar me vitin 2019.

Kurse destinacionet më të preferuara për udhëtime, personale apo biznesi në Shqipëri janë Tirana, Vlora dhe Durrësi.

Femrat zënë 50.6% të udhëtimeve të kryera në Shqipëri, ndërsa 49.4% janë meshkuj.

Udhëtarët e grupmoshës 25-34 vjeç kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve të kryera brenda vendit, 22,0%.

“Në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi brenda vendit, të kryera nga  individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 2.920.287. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 3,97 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98,8 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1,2 % të tyre. Përqendrimi më i lartë i udhëtimeve brenda vendit (personale dhe biznes), për vitin 2020 sipas muajit të nisjes janë regjistruar në muajt: Gusht (18,0 %), Qershor (12,9 %), Janar (11,2 %) dhe Dhjetor (rreth 10,7%). 28,0 % e udhëtimeve si vend origjinë kanë qarkun e Tiranës, 11,2 % qarkun e Elbasanit, 9,2% qarkun e Vlorës dhe 9,1% qarkun e Shkodrës”, tregon raporti.

Ndikimi i turizmit në ekonomi

INSTAT ka bërë një përllogaritje të ndikimit të turizmit në ekonomi.

Gjatë vitit 2020 në vendin tonë erdhën rreth 2,7 milionë shtetas të huaj, dëshirat dhe nevojat e të cilëve u plotësuan nga rreth 55 mijë të punësuar vetëm në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin (NVE Rev.2. 2-shifrore 55; 56; 77; 79) që do të thotë çdo i punësuar në këto aktivitete i shërbente dhe kujdesej për rreth 49 vizitorë të huaj.

Vlera e shtuar e industrive të turi zmit ka rënë me 33,9 %, krahasuar me vitin 2019.

Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2020 është 2,3 %.

Kapacitetet akomoduese

Në vitin 2020, në gjithë vendin funksionuan 1.469 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha  malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) dhe janë vënë në dispozicion rreth 40 mijë dhoma dhe rreth 95 mijë shtretër.

Gjatë vitit 2020, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht:

rreth 33 shtretër në dispozicion të 1.000 banorëve;

50 % e shtretërve janë shfrytëzuar (netë qëndrime) nga jo-rezidentët;

kapacitetet maksimale janë vënë në dispozicion gjatë muajit Gusht (rreth 33 mijë dhoma dhe 81 mijë shtretër);

tremujori i tretë ka patur normën e shfrytëzimit më të lartë të shtretërve, rreth 18,4 %.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat