Zbulohet shtëpi bari, në krye të veprimtarisë kriminale një femër, në pranga punonjës të OSHEE

Shqipëria

Zbulohet shtëpi bari, në krye të veprimtarisë kriminale një femër, në pranga punonjës të OSHEE

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 09:44
Foto ilustrim

Policia e Tiranës ka zbuluar një shtëpi bari edhe në fshatin Pinet të Ndroqit, ku një shtetase kishte përshtatur banesën, si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të kanabisit.

Në pranga kanë përfunduar dy punonjës të OSHEE-së si dhe një efektiv policie po procedohet në gjendje të lirë.

Ndërsa në kërkim është shpallur organizatorja e kësaj veprimtarie, e cila kishte marrë banesën me qira.

Sipas bluve, organizatorja e veprimtarisë kriminale është R. Xh., 32 vjeçe.

“Banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim”, tha policia.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pinet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë.

Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.

Vihen në pranga 3 shtetas, 2 nga këta punonjës të OSHEE-së, procedohet penalisht kryeplaku i fshatit dhe një punonjës policie SPZ

Shpallet në kërkim organizatorja e kësaj veprimtarie, e cila kishte marrë banesën me qira.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në afërsi të xhamisë, në fshatin Pinet, Ndroq, një shtetase kishte përshtatur banesën, si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pinet”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– E. D., 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim;

– Q. H., 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– E. M., 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet,shtetasi E. K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë Rajonale e AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6:

– A. M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.

Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, shtetasja R. Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë.

Shtetasja R. Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhysjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë kontrollit të telefonit të shtetasit E. M., iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat