Përkujtohet Lëvizja antikomuniste e Kelmendit

Shqipëria

Përkujtohet Lëvizja antikomuniste e Kelmendit

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 20:13
Ngjarja përkujtimore

Një ngjarje përkujtimore për lëvizjen antikomuniste të vitit 1945 në Kelmendit, e udhëhequr nga prijësi dhe luftëtari popullor Prekë Cali, u zhvillua të martën në qendrën administrative të Kelmendit, në Tamarë, me pjesëmarrjen e banorëve të Malësisë së Madhe, përfaqësuesve të familjeve më në zë të malësisë, ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë dhe të opozitës. Ceremonia e përkujtimit të kësaj ngjarje u organizua nga Unioni Mbarëkombëtar për Integrimin e ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. E cilësuar si lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri, ajo veçohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të malësisë dhe dëshmi e qendresës së malësorëve, jo vetëm kundër pushtuesve të huaj, por edhe komunizmit.

Lëvizja e Kelmendit, tha Luigj Gega, drejtuesi vendor i Unionit, ishte sinjali i parë që kundërshtonte vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Qendresa e malësorëve të Kelmendit zgjati nga 3 janari deri me 16 shkurt të vitit 1945, kur edhe u shtyp me dhunë.

“Kur komunizmi shtroi të gjithë Shqipërinë hasi në një rezitencë të papame dhe të papritur në Kelmend. Kelmendasit nuk j’u nënshtruan regjimit komunist pa gjak dhe pa luftë, e cila pati një bilanc jashtëzakonisht të madh, me viktima, burgosje, internime, dëbime, etj. Kjo ka vazhduar deri në vitet e demokracisë, deri në vitin 1990.”

Për studiuesin Ndue Bacaj, malësorët e Kelmendit e paguan me gjakun e tyre qendresën ndaj komunizmit, duke dëshmuar vendosmërinë e tyre në mbrojtje të kombit dhe lirisë.

“67 të vrarë janë regjistruar, por në fakt janë 84 kelmendas të vrarë si rezultat i kësaj lufte. Një pjesë edhe pa varr, me në krye Prekë Calin dhe 13 antikomunistë të tjerë. Gjithashtu, janë qindra të burgosur të shpronësuar. Kjo është një trevë, e cila gjatë të gjithë regjimit komunist ka vuajtur, ndoshta si asnjë trevë tjetër shqiptare”.

Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, tha se është koha që në Shqipëri të ngrihet parcela kombëtare e kujtesës për mbi 5 mijë të vrarët dhe të zhdukurit nga diktatura komuniste.

“Është një ditë mesazhi për shtetin shqiptar për t’ju përgjigjur misionit kombëtar që ka marrë Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë për të ngritur në Tiranë parcelën kombëtare të mbi 5 mijë të vrarëve dhe trupave të zhdukur nga diktatura. Ngritja e parcelës kombëtare i shërben të vërtetës, i shërben drejtësisë, për të cilën ka shumë nevojë shoqëria shqiptare, i shërben kujtesës”.

Zoti Ndregjoni i bëri thirrje qeverisë që të miratojë sa më parë ngritjen e kësaj parcele si dëshmi e paqes mes shqiptarëve.

“Prandaj mesazhi është: qeveria shqiptare menjëherë, pa u vonuar, duhet të japi miratimin e ngritjes së parcelës kombëtare të kujtesës. Kjo parcelë kombëtare do t’i shërbejë paqëtimit të shqiptarëve dhe jo urrejtjes ndaj njëri-tjetrit”.

Lëvizja antikomuniste e Kelmendit u organizua dhe udhëhoq nga prijësi dhe luftëtari popullor Prek Cali i cili, një vit më parë, u nderua pas vdekjes nga Presidenti i Republikës me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për kontributin e tij në mbrojtjen e kufijve shqiptar, në Kelmend të Malësisë së Madhe gjatë viteve 1911-1926./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat