Protestë për hartën gjyqësore në Pogradec, penalizohen personat me aftësi të kufizuara

Shqipëria

Protestë për hartën gjyqësore në Pogradec, penalizohen personat me aftësi të kufizuara

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 12:49
Foto ilustrim

Avokatë dhe specialistë të fushës së drejtësisë në Pogradec kanë kundërshtuar Hartën e re Gjyqësore të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ. Sipas tyre harta e re penalizon viktimat e dhunës në familje, si dhe shton kostot financiare tek qytetarët në mënyrë të veçantë tek ata me aftësi të kufizuara.

Harta e re gjyqësore e prezantuar nga ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësorë vijon të kundërshtohet  nga specialistët dhe avokatët. Pogradeci është një nga qytetet që mbetet pa Gjykatë ndërkohë që aktorët e shoqërisë civile dhe avokatët atje thonë se zhvendosja e Gjykatës në Korçë do të sjellë vështirësi për viktimat e dhunës në familje, kryesisht gratë që kërkojnë urdhër mbrojtjeje.

"Me rritjen e distancës vështirësohet mundësia për të qenë ato prezente atje. Mosprezenca e tyre në seancat gjyqësore rrit riskun për mos marrë vërtetimin e urdhrit të mbrojtjes."

Duke qenë se harta gjyqësore shton koston financiare mbi qytetarët, avokatët e Pogradecit thonë se më të vështirë do ta kenë personat me aftësi të kufizuara e deri tek ata me probleme ekonomike.

"Normalisht për qytetarët e Pogradecit do sjellë një rritje të shumëfishuar të kostove sepse një proces gjyqësor që ndiqet në Gjykatën e Pogradecit, për tu ndjekur në Gjykatën e  Shkallës së Parë Korçë dhe më pan në Apel Tiranë do shumëfishojë kostot," tha avokati Endri Çela.

95 mijë banorët e Pogradecit sipas Hartës së re Gjyqësore pritet që shërbimet e Gjykatave t’i marrin  në Korçë.

Harta e re e cila planifikon shkrirjen e një sërë Gjykatash të shkallëve të para, dhe shkrirjen e të gjithë Gjykatave të Apelit duke e bërë një të vetme, po kundërshtohet gjerësisht në vendin tonë nga ekspertë të fushës së drejtësisë ndërsa ministria e Drejtësisë Dhe KLGJ këmbëngulin për variantin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat