Drogë me dron në burg, prokuroria kërkon 25 vite burg për tre të arrestuarit! Zbardhet dosja

Shqipëria

Drogë me dron në burg, prokuroria kërkon 25 vite burg për tre të arrestuarit! Zbardhet dosja

Më: 15 mars 2022 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 24 vite e 8 muaj burg për tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëritjetrin në muajin korrik të vitit 2019, tentuan të fusnin drogë dhe telefona përmes dronit në Burgun e Shënkollit në Lezhë.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Ylli Pjeternikaj dhe ndaj tre të rinjve u ngritën akuzat “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” në tentative dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”. Për këto vepra penale organi i akuzës kërkon dënimin me nga 9 vite e 4 muaj burg për shtetasit Xhefri Lumaj e Mentadent Veinca, si dhe 6 vite burg për shtetasin Xhulio Kola.

Referuar dosjes hetimore është arritur të provohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në orët e vona të mbrëmjes së datës 6 korrik të vitit 2019, përmes dronit kanë tentuar të fusnin 7 pako me lëndë narkotike dhe 3 telefona celularë në burgun e Shënkollit në Lezhë, të cilën e kishte porositur nga një i burgosur me të cilin kishin komunikuar me mesazhe. “Gjatë kontrollit të automjetit në sediljen e pasme është gjetur një çantë plastike e mjetit fluturues e llojit dron. Në sediljen e krahut të djathtë është gjetur një karikues që përdoret për karikimin e mjeteve dron.

Gjithashtu, është gjetur në pjesën e pasme të mjetit një pajisje e kontrollit në distancë e mjetit fluturues e llojit dron e markës ‘DJI model Gl 300C’, si dhe një qese e bardhë me katër gomina”, thuhet në dosjen hetimore. Ndërkohë, gjatë kontrollit të telefonit celular të të arrestuarit, Mentadent Veica, ka rezultuar që të ketë komunikuar me mesazhe për disa orë rresht me një tjetër person që dyshohet të jetë i burgosur. Sipas Prokurorisë së Lezhës, përmbajtja e këtyre mesazheve flet qartë për futjen e sendeve të ndaluara në Burgun e Shënkollit.

“Nga përmbajtja e SMS-ve duket qartë që i pandehuri Mentandent Veici komunikon me një të dënuar brenda burgut me emrin Kristjan për përdorimin e dronit për futjen në burg të materialeve të ndodhura në dron. Nga akti i ekspertimit teknik, rezulton se nga analizimi i ekstrakteve u konstatua se në memorien e brendshme të dronit, janë ruajtur të dhëna si dhe disa loge”, thuhet në dosje.

SI U ZBULUA DRONI

Mjeti fluturues u pikas nga punonjësit e Policisë së burgut, të cilat gjatë shërbimit konstatuan se aty po fluturonte një dron, i cili kishte hyrë në zonën e ndaluar. Ata menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës, e ndërsa në mbështetje të tyre shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.

Pas bllokimit të dronit, Policia gjeti të lidhura në një qese plastmase 7 pako me lëndë narkotike, si dhe tre telefona celularë me tri karta. Tre personat të cilët po drejtonin dronin u arrestuan në flagrancë 1 km larg Burgut të Shënkollit dhe brenda automjetit të tyre u gjet edhe telekomanda e mjetit.

Tashmë do të jetë Gjykata e Lezhës, e cila do të japë vendimin për 3 personat e pandehur në lidhje me këtë çështje.

“Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Burgjeve parandaluan dhe goditën një tentativë të futjes në ambientet e burgut të lëndëve narkotike dhe telefonave celularë me anë të dronit. Sekuestrohet droni ku në trup të së cilit ishin lidhur 7 pako me kanabis sativa dhe tre telefona celularë. 

“Arrestohen në flagrancë tre shtetas, ku në mjetin e tyre u gjet telekomanda e dronit. Në orët e vona të mbrëmjes, në rrethimin e jashtëm të Burgut të Shënkollit, punonjësit e Policisë së Burgut që kryenin shërbim kanë konstatuar se po fluturonte një dron, duke hyrë në zonën e ndaluar dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës.

Në drejtim të burgut janë nisur forcat e FNSH-së të Shkodrës, të cilat ishin me shërbim në Lezhë, si dhe shërbimet e Policisë së Lezhës së bashku me grupin hetimor.  Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë i mundur bllokimi i dronit në rrethin e dytë të jashtëm të burgut, ku gjatë këqyrjes në trup të dronit u gjetën të lidhura në një qese plastmase 7 pako me lëndë narkotike, si dhe tre telefona celularë.

Gjithashtu, po në vijim të veprimeve te pjesa e pasme e burgut ne një distance 1 km, Policia e Lezhës dhe FNSH-ja ka konstatuar dhe bllokuar një automjet ku brenda të cilit ndodheshin tre persona. Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi telekomandën e dronit që u sekuestrua brenda rrethimit të dytë të jashtëm të burgut, çanta ku futet droni, si dhe tre aparate të tjerë celularë”, sqaronte Policia në atë kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat