Prapaskenat e negociatave/ Sot mblidhet grupi i PD, merr pjesë Berisha por mungon Basha!

Shqipëria

Prapaskenat e negociatave/ Sot mblidhet grupi i PD, merr pjesë Berisha por mungon Basha!

Më: 31 mars 2022 Në ora: 08:59
Foto ilustrim

Pas më shumë se 5 muajsh, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë më i plotë në mbledhjen e sotme në orën 9:00.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, autorizoi dje sekretarin e grupit të PD-së, Arbi Agalliun, që të njoftojë deputetët që sot, një orë para seancës plenare, në selinë e Partisë Demokratike, të mblidhet Grupi Parlamentar. Njoftimi i Agalliut u dërgua në grupin e komunikimit të “WhatsApp”-it ku janë të pranishëm edhe deputetët e pezulluar.

“Nesër, në orën nëntë, do të zhvillojmë mbledhje grupi në selinë e Partisë Demokratike”, shkruhej në grupin zyrtar të komunikimit të deputetëve të PD-së.

Mirëpo në atë grup mungonin deputetët Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho, të cilët që prej datës 8 janar janë përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Menjëherë pas këtij momenti, ka nisur një komunikim mes Flamur Nokës dhe Enkelejd Alibeajt dhe nënkryetarit të grupit të PD-së, Luçiano Boçi, me kryetarin e grupit, Alibeajn.

Pas diskutimeve, Alibeaj ka dakordësuar që në mbledhje të vinin të gjithë deputetët, edhe ata të përjashtuarit e 8 janarit, por insistoi që në mbledhje të mos ishte i pranishëm Sali Berisha, për shkak se është shpallur person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimi i Alibeajt kthente palët në pozicionet e 10 shtatorit 2021, një ditë pas vendimit të Bashës. Qëndrim që nuk u pranua nga deputetët e Komisionit të Rithemelimit.

BERISHA MBLEDH DEPUTETËT

Për të diskutuar në lidhje me mbledhjen e Grupit Parlamentar, ish-Kryeministri Sali Berisha thirri në një takim informal deputetët në zyrat ku komisioni ka funksionuar deri më tani, për shkak se në selinë e PD-së po kryhen punime për të bërë gati sallën për sot.

Duket se lideri historik nuk ka dashur vëmendjen e medias për të krijuar perceptimin e një tërheqjeje nga selia e PD-së e, për këtë arsye, në momentin që u konstatuan mediat para zyrave të Komisionit të Rithemelimit, ai anuloi takimin dhe i thirri deputetët në zyrën e tij në një godinë tjetër, disa metra më larg.

Ndërsa në përfundim të takimit, Berisha në një prononcim për mediat, tha se pavarësish insistimit të Alibeajt, që ai të mos jetë i pranishëm në mbledhjen e grupit, ai do të respektojë vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit, referendumin e 18 dhjetorit dhe zgjedhjet e 6 marsit.

“I pari që do të jetë në atë mbledhje është Sali Berisha. Sali Berisha ka një detyrim madhor absolut nga Kuvendi i 11 dhjetorit, të konfirmuar me referendumin e 18 dhjetorit dhe në zgjedhjet e 6 marsit. Nuk e di nëse zoti Alibeaj të jetë shprehur kështu edhe nëse ju ka autorizuar ju”, tha Berisha. 

I pyetur nëse ishte njoftuar nga kryetari i Grupit Parlamentar për mbledhjen e sotme, tha se ishte informuar prej deputetëve të tjerë.

“Më kanë njoftuar kolegët e mi se ka mbledhje dhe unë do të shkoj, normale”, vijoi Berisha.

Ndërkohë, kjo duket se do të jetë mbledhja e parë thuajse e plotë për këtë sesion parlamentar, por tashmë nuk do të mungojë më Berisha, por ish-kryetari, Lulzim Basha, i cili mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar një takim në zyrat e reja me Alibeajn e Bardhin.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat