VOA/ E quajti Alibeajn Kryetar në detyrë të PD, Komisioni i Rithemelimit sulm ambasadores Kim

Shqipëria

VOA/ E quajti Alibeajn Kryetar në detyrë të PD, Komisioni i Rithemelimit sulm ambasadores Kim

Më: 5 prill 2022 Në ora: 21:04
Yuri Kim

Në Shqipëri, një takim i ambasadores amerikane Yuri Kim, me zotin Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, siç ajo e konsideroi atë në postimin në Twitter në përfundim të takimit, provokoi një reagim të ashpër të përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit, organi që sipas tyre drejton Partinë Demokratike, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila njohu aktet e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe përkrahësit e tij.

“Diskutim shumë i mirë sot me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PD-së, dhe kreun e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, për një gamë të gjerë çështjesh”, - shkruajti zonja Kim, duke kujtuar se “Shtetet e Bashkuara kanë patur një marrëdhënie të fortë e të veçantë me PD-në që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë”. Më tej, ndërsa vë në dukje bashkëpunimin mes dy vendeve në shumë drejtime, ambasadorja Kim thekson: “Le të ecim së bashku përpara, jo pas”. Një frazë, e cila tingëllon si një referencë e qartë ndaj zotit Berisha, nëse marrim parasysh se dhe më parë ajo ka përdorur të njëjtat terma, duke e njehsuar me të shkuarën, ish kryeministrin, e shpallur “non grata” nga SHBA-të.

“Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike”, - shkruhet në reagimin e Komisionit të Rithemelimit. Deklarata vijon më tej duke theksuar se “Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës, që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit - organit kolegjial të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike”. Sipas deklaratës, ambasadorja amerikane “është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët”.

Vendimi i Gjykatës për njohjen e akteve të Kuvendit të 11 dhjetorit, ka hapur një debat dhe në radhët e demokratëve. Pala tjetër, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës nuk është i formës së prerë dhe pak ditë më parë me kërkesë të zotit Alibeaj u bë ankim në Gjykatën e Apelit. Sipas tyre, deri sa të ketë një vendim të formës së prerë institucionet legjitime janë ato që kanë ekzistuar deri më tani. Por ankimimi, sipas Komisionit të Rithemelimit, është “akti Basha - Alibeaj një përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD”.

Në fakt, Komisioni i Rithemelimit ka marrë tanimë kontrollin e selisë së Partisë Demokratike. Një arsye tjetër mesa duket, që ambasadorja Kim zgjodhi të takohet me zotin Alibeaj në mjediset e parlamentit. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk do të pranojnë të kenë marrëdhënie me Partinë Demokratike, nëse ajo do të drejtohet nga zoti Berisha, i cili e ka bërë të qartë se synon jo vetëm kreun e kësaj force politike, por dhe rikthimin si kryeministër i ardhshëm i vendit. 

Zoti Berisha mori pjesë javën e kaluar dhe në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ndonëse zoti Alibeaj e kundërshtoi praninë e tij, duke kujtuar se ka një vendim që e ka përjashtuar atë nga grupi dhe nga partia dhe se ai nuk rezulton të jetë pjesë e grupit as sipas regjistrimit të deputetëve në parlamentin e vendit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat