Përgjimet e prokurorisë në 2021, Sota: Grupet kriminale përdorin telefona të kriptuar për shmangien e mbikqyrjes

Shqipëria

Përgjimet e prokurorisë në 2021, Sota: Grupet kriminale përdorin telefona të kriptuar për shmangien e mbikqyrjes

Më: 7 prill 2022 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Numri i përgjimeve të realizuara nga Prokuroria ndaj qytetarëve shqiptarë ka mbetur i lartë edhe gjatë vitit 2021. Sipas raportit zyrtar të kryeprokurorit, Olsian Çela, gjatë vitit të kaluar janë përgjuar me vendim gjykate ose urdhër prokurori mbi 3400 qytetarë. Në këtë shifër që mesatarisht tregon se çdo ditë janë përgjuar 9 persona, nuk përfshihen interceptimet e SPAK që tashmë ka një zyrë përgjimesh të vetën dhe përgjimet parandaluese të policisë. Ekspertët thonë se bandat kriminale përdorin platforma të kriptuara, ndërsa shtojnë se është me rëndësi që përgjimet të kryhen sipas ligjeve në fuqi.

Gjatë vitit 2021 me urdhër të gjykatës prokuroria dhe policia kanë vendosur nën përgjim 3664 aparate celularë të 3412 qytetarëvë të cilët dyshohej se ishin të përfshirë në veprimtari kriminale. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se në 683 raste përgjimi është autorizuar nga vetë prokurori.

Ish-drejtuesi i policisë, Fatjon Softa, thotë se e rëndësishme është që organi i akuzës përgjimet ti kryejë në rast se ka indicie të bazuara në prova dhe jo vetëm në dyshime paraprake.

"Ne nuk themi të përgjojë jetën private por duhet të ndjekë në rastet kur kanë prova sigurisht për aktivitete të ndryshme."

Edhe pse ka një numër të lartë subjektesh të cilët janë vënë nën përgjim, shumë prej ngjarjeve kriminale vijon të jenë pa autor.

Sipas ekspertit, tashmë grupet kriminale përdorin telefona të krituar më qëllim shmangien e mbikqyrjes policore.

"Krimi është më i sofistikuar patjetër, ka metoda, aplikacione. Jo vetëm aplikacione, ka dhe një lloj teknologjie të veçantë kur ti merr një aparat telefoni në pronësi ti mund ta bësh atë të kriptuar. Do të thotë që nëse ne të dy blejmë një aparat midis njëri-tjetrit ne arrijmë të komunikojmë dhe të shmangim frekuencën ose të bëjmë ndryshimin e shpejtësisë së frekuencës".

Gjatë vitit 2021, në kuadrin e 655 procedimeve penale, me anë të përdorimit të mjeteve të posaçme hetimore, është arritur në arrestimin ose ndalimin e 640 personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në vitin që lamë pas janë ekzekutuar gjithsej 1534 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 741 autorizime dhe urdhëra të prokurorit.

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme evidenton se në dy raste gjykata ka refuzuar kërkesën për lejimin e përgjimit, ndërsa në 58 procedura kanë qenë vetë prokurorët që kanë kërkuar ndalimin e interceptimeve, me akt të motivuar pasi ka rezultuar se personi që po përgjohej nuk kishte lidhje me aktivitet kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat