Lotët e dramës ukrainase/ Refugjatët e luftës tregojnë dhimbjen e braktisjes së atdheut

Shqipëria

Lotët e dramës ukrainase/ Refugjatët e luftës tregojnë dhimbjen e braktisjes së atdheut

Më: 8 prill 2022 Në ora: 20:48
Marina Ivleva

Ky fëmijë që nuk e kupton luftën por e di kuptimin e lirisë,  mban këtë pankartë në duar me dëshirën që kërkesa e tij e shprehur në anglisht të ‘fluturojë’ larg. Ndërsa lotët e grave ukrainase sjellin ne kujtese sulmet ruse. Dhe Luftën që dhemb.

Marina nga Odesa e vuan luftën sepse ka ikur prej saj për hir te fëmijëve. Por lufta e ndau nga bashkëshorti I cili sot është ushtar, ndërsa ajo është strehuar prej 1 muaji në Tiranë, në një vend që e vlerëson tepër bujar.

“Është shumë e vështirë për ne. Lexojmë çdo ditë se si njerëzit tanë po vdesin duke mbrojtur atdheun. Është e tmerrshme. Ne duam paqe, duam që fëmijët tanë të jetojnë në një shtet të pavarur europian. Shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë. Jemi pafund mirënjohës për ndihmën e shqiptarëve. Kemi gjetur miq, një strehëz këtu. Faleminderit shumë”, Marina Ivleva.

Edhe Oksana erdhi në Shqipëri vetëm me djalin e vogël; pa bashkëshortin dhe djalin e madh 19 vjeçar të cilët qëndruan në Ukrainë për të mbrojtur vendin. Edhe pse ndihet e sigurt këtu, mendja e saj është ne atdhe ku janë te dashurit e saj.

 “Zemrat tona janë me familjarët tanë në Ukrainë dhe lutemi që të mbarojë lufta sa më shpejt. Duam të kthehemi në shtëpinë tonë!”

Dasha është larguar nga Ukraina pa prindërit, ndërsa shoqja e mamasë përpiqet që ajo të mos ndihet vetëm…

 “Është shumë e vështirë për mua. Jam e shqetësuar për prindërit që janë në Kiev. Kjo që po ndodh është e pabesueshme.”

Me dhimbjet e ukraines, te premten u bashkuan edhe shqiptarët. Albina Ukaj e kthyer vetem nje nate me pare nga emigrimi, u bë pjesë e tubimit. Ajo flet me admirim për rezistencën e popullit ukrainas dhe dinjitetin e presidentit që nuk ju largua luftës.

 “E ndiej dhimbjen e tyre. Dhe përgëzoj presidentin Zelensky, jo vetëm nga ana politike por edhe njerëzore. Bravo i qoftë”.

Lusia Bitri , megjithëse 4 vjeç është e aftë të shpresojë fundin e një lufte që po trazon gjumin e europianëve këto 44 ditë.

 “Lusia e do Ukrainën!” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat