Presidenti Meta paralajmëron konferencë pas Kongresit të PS/ Këshilltari i tij i përgjigjet Veliajt

Shqipëria

Presidenti Meta paralajmëron konferencë pas Kongresit të PS/ Këshilltari i tij i përgjigjet Veliajt

Më: 9 prill 2022 Në ora: 10:59
Ilir Meta dhe Tedi Blushi

Zëdhënësi dhe këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili tha sot se kreu i ri i shtetit duhet të jetë një person “diametralisht i kundërt me Metën që kalon kohë banaqeve gjysmë i dehur duke i shpallur luftë Amerikës”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Blushi thotë se Presidenti Meta do të mbajë një konferencë për shtyp pasditen e të shtunës, “pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit”.

“Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi”.

POSTIMI I PLOTE

Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive.

Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat