Energjia dhe dështimi me diversifikimin/ Shqipëria në pikën zero, prodhimi bazohet thuajse tërësisht në “hidro”

Shqipëria

Energjia dhe dështimi me diversifikimin/ Shqipëria në pikën zero, prodhimi bazohet thuajse tërësisht në “hidro”

Më: 16 prill 2022 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Kriza energjetike globale tregoi, edhe një herë, qartësisht dështimin e Shqipërisë në diversifikimin e sektorit. Fakt është që vendi po shpenzon qindra miliona euro në import dhe në masa momentale të marra nën panik, teksa mbështetja e vetme mbetet “hidro”. Të dhënat zyrtare tregojnë se pranë institucioneve janë në faza fillestare, por edhe të avancuara dokumentacioni, dhjetëra projekte parqesh fotovoltaikë, me kapacitet të instaluar total mbi 1000 MW, por zbatimi i tyre në terren mbetet larg. Projekti për Karavastanë, sipas MIE, nis ndërtimin këtë pranverë. Tek energjia nga era, zhvillimi është edhe më i ngadaltë, ku një projekt me vlerë 244 milionë euro ka fituar statusin e investimit strategjik. Të tjerë janë në fazë dokumentacioni, ndërkohë mbetet në proces ankandi i qeverisë. Njohësit e sektorit vlerësojnë se politikat e paqëndrueshme dhe burokracitë e kanë bërë të vështirë diversifikimin e energjisë, duke e ekspozuar vendin, bizneset dhe familjet shqiptare, ndaj kostove të jashtëzakonshme.

Teksa biznesi në treg të lirë (kryesisht i lidhur në 35 kilovolt) po përballet me çmime 3-4 herë më të larta energjie në raport me një vit më parë, është radha e konsumatorit familjar për t’u përballur me frikën se përpos ushqimeve dhe naftës, më shtrenjtë ndoshta do të paguajë një tjetër faturë.

Shqetësimi u rrit së fundmi nga një deklaratë e kryeministrit “se të pasurit”, përkohësisht, mund të paguajnë më shtrenjtë energjinë, si një formë për të përballuar situatën e vështirë. Deklaratat brenda kabinetit janë kontradiktore, pasi të tjerë përfaqësues theksojnë e ritheksojnë se çmimet nuk do të ndryshojnë e se të gjithë “barrën” do ta mbajë qeveria.

Kjo tregon, më së miri, se nuk ka një plan konkret për menaxhimin e situatës dhe se çdo vendim po merret në momentin e fundit, duke e shoqëruar me premtimin e diversifikimit dhe një të ardhmeje me siguri energjetike.

Mbështetja në burime të tjera të prodhimit të energjisë, përpos asaj hidrike, nga ku ne aktualisht jemi të varur plotësisht, nuk është një teori e re. Kjo është përfolur qeveri pas qeverie, megjithatë, pavarësisht masave të marra dhe investimeve të pretenduara, sot kur kriza globale e energjisë qëndron mbi kokat e të gjithëve si kërcënim, jemi sërish në pikën zero.

Fakt është që Shqipëria u detyrua të importojë vitin e shkuar disa qindra milionë euro energji, si për ironi kjo, në atë që është një nga vitet më të mira hidrike dhe kur prodhimi tejkaloi konsumin. Importet po vazhdojnë edhe këtë vit, në mënyrë të rregullt, me një faturë që askush nuk di të thotë sa do të shkojë.

Qeverisë i është dashur të veprojë me masa momentale, duke sajuar blerje energjie në forma nga më të ndryshmet. Të gjitha këto, sipas aktorëve të tregut, janë dështim i strategjive për diversifikimin dhe rezultat i politikave të paqëndrueshme vit pas viti në sektor.

Shqipëria në pikën zero, prodhimi bazohet thuajse tërësisht në “hidro”

Shqipëria prodhoi vitin e shkuar 8.96 milionë MWh energji. Nga ky total, vetëm 0.4% ishte si rezultat i centraleve fotovoltaikë, pjesa tjetër erdhi nga hidrocentralet.

Si një vend që ka në fuqi nga viti 2017 një ligj për burimet e rinovueshme, ku përfshihet edhe nxitja e prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, kjo përqindje tregon qartë dështimin për të nxitur investime të kësaj natyre. Kohë pas kohe nuk kanë munguar miratimet për projekte të mëdha, por konkretisht sot, thuajse të gjithë këto projekte, vazhdojnë të mbeten në letra e në faza të ndryshme miratimi lejesh mjedisore apo vendimesh paraprake.

Koncesionet private të hidrocentraleve, ku bëjnë pjesë prodhuesit e pavarur por edhe prodhuesit me përparësi, të cilat janë projektet me kapacitet të instaluar deri në 15 MW, kanë bërë diferencë vetëm në strukturën e prodhimit të energjisë.

Sot, prodhuesit privatë kanë një peshë jo të vogël në raport edhe me prodhuesin publik, siç është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2021 nga KESH sh.a. zë 59.6% të të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vend, kurse prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë zë rreth 40.4%.

Për vitin 2020, prodhimi i KESH sh.a. zuri 58% të të gjithë prodhimit, kurse ajo nga prodhuesit e tjerë zë rreth 42%.

Pavarësisht luhatjeve dhe sasisë që prodhon secila palë, në fund i gjithë ky grup varet nga ecuria e vitit hidrik. Nëse kemi vit të mirë, ka prodhim të mirë e nëse viti është i thatë, panorama është e qartë. Kapaciteti prodhues i energjisë është rritur vit pas viti, por kjo nuk është shtrirë njëtrajtësisht edhe në burime të tjera alternative, duke e lënë vendin në mëshirë të reshjeve.

Vetëm në vitin 2021, kapaciteti prodhues me hidrocentrale të reja u rrit me 97 MW në raport me vitin 2020. Në total, kapaciteti prodhues i energjisë elektrike, i instaluar në vend deri më 31 dhjetor 2021 ishte 2,605 MW, ku 1448 MW, apo 56% e kapacitetit i përket KESH-it.

Fotovoltaikët, në vitin 2021 projekte me mbi 1085 MWp kapacitet nëpër letra

Janë me dhjetëra projekte për impiante fotovoltaikë të vegjël, të mëdhenj që aktualisht janë në hallka të ndryshme miratimi, apo shqyrtimi nëpër institucione.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2021, këto projekte arrijnë kapacitetin 1085 MWp. Ato përfshijnë kontrata të nënshkruara nga qeveria dhe kompani private për blerjen e energjisë me çmim të rënë dakord më parë siç është Karavastaja, Spitalla, por edhe një listë e gjatë sipërmarrjesh private, të cilat mund ta shesin këtë energji në treg të lirë.

Situata konkrete e impianteve fotovoltaikë në vend është aktualisht e tillë: në funksion janë 12 projekte me 23 MW kapacitet të instaluar, që qeveria u ble energjinë me një çmim që miratohet çdo vit nga ERE. Ky çmim herën e fundit u caktua 71.2 euro/MWh.

Ndërkohë edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka të përfunduar një impiant fotovoltaik në digën e Qyrsaqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës në kaskadën e Drinit.

Kapaciteti i instaluar në këtë impiant është 5.1 MW. Impianti do të prodhojë energji këtë vit, duke e integruar atë me menaxhimin tërësor të kaskadës. KESH paralelisht do të zhvillojë edhe një impiant fotovoltaik lundrues, i cili do të ketë fuqi të instaluar prej 12.9 MW. Projekti ka një kosto të parashikuar prej 13.9 milionë eurosh, por që një pjesë e tij do të përballohet nga fondet e vetë Korporatës.

Dy projekte të tjera, me kapacitet të konsiderueshëm, janë ato që qeveria nënshkroi me Voltalia-n pas hapjes së garës në vitin 2020 dhe 2021. Bëhet fjalë për parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe atë të Spitallës. Për të parin, kompania ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Parku fotovoltaik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.

Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh. Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në deklarata të bëra herë pas here, ka nënvizuar se ndërtimi i impiantit të Karavastasë do të fillonte në mars.

Ndërkohë, në faqen e saj të internetit, vetë kompania “Karavasta Solar” ka njoftuar se gjatë marsit dhe prillit po zënë vend takimet që po prezantojnë udhëzimin e kompensimit për blerjen e tokës për familjet e prekura nga projekti.

Aktualisht për Karavastanë është miratuar leja në Këshillin Kombëtar të Territorit, ndërsa licencimi i saj për aktivitetin e prodhimit në ERE u shty për marrje vendimi, duke kërkuar që të plotësohen disa dokumente shtesë në aplikimin fillestar.

Rishfaqet park tjetër në Akërni, bizneset shkojnë drejt investimeve në energji

Kur përmendim Akërninë, dy janë projektet që vijnë menjëherë në mendje: Aeroporti i Vlorës dhe parku fotovoltaik që u fitua nga një kompani e huaj dhe u anulua më pas. Por qeveria duket se nuk ka hequr dorë përfundimisht nga projekti i parkut, pasi në dokumente zyrtare rezulton se një subjekt privat ka marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit gjatë vitit 2021.

Bëhet fjalë për një park me kapacitet 150 MW, i cili do të ndërtohet nga EDIL-AL-IT sh.p.k. Një tjetër projekt që ka kaluar disa hallka të rëndësishme miratimi është edhe ai i Aga Solar, edhe ky me kapacitet 150 MW, i zbatuar nga Aga Solar Sh.p.k.

Projekti më i madh deri më tani që duket se po diskutohet sa u takon impianteve fotovoltaike është me kapacitet të instaluar 275 MW dhe sipas Entit Rregullator të Energjisë ka marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit gjatë vitit 2021 në zonën e Semanit nga kompania GREENCELLS GMBH.

Vitin e kaluar, tre centrale të tjerë morën miratimin në parim për lidhje në sistemin e transmetimit. Bëhet fjalë për parkun fotovoltaik Blue1 (57.6 MWp) zbatuar nga SPV Blue1 sh.p.k, parkun Blue2 (57.6 MWp) nga SPV Blue2 sh.p.k dhe parkUN ALB-Solar1 (50 MW) nga INFO-Telecom sh.p.k.

Situata e krizës së energjisë ka rritur në mënyrë të paprecedentë interesin për projekte të kësaj natyre dhe së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se kishte interes edhe nga dy subjekte të tjera.

E para ishte AGNA SHA. Kjo fundit ka aplikuar për një impiant fotovoltaik në zonën e Libofshës, me kapacitet të instaluar 49.8 MW. Sipas faqes zyrtare të kompanisë, AGNA Sh.a., operon në sektorët: distribucion i produkteve të konsumit të shpejtë; hoteleri; investime në prona të patundshme; hidroenergji.

Shoqëria tjetër “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH” SH.P.K., sipas ministrisë, kishte shprehur interesin dhe ka paraqitur, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 100 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Ballshit, Bashkia e Mallakastrës, Qarku i Fierit.

Ajo që bie në sy tek projektet fotovoltaikë është orientimi gjithmonë e më i madh i investimit në këtë segment i bizneseve të mëdha dhe të konsoliduar në sektorë të tjerë përveç energjisë. Kriza duket ka shfaqur në horizont një mundësi të artë investimi për këtë grup, duke pasur parasysh se kërkesa për energji globalisht si pjesë e rimëkëmbjes post-pandemike, por edhe tensioneve të konflikteve, vlerësohet të mbetet e lartë.

Energjia nga dielli, operatorët e tregut: Kërkesa për impiante është trefishuar

Kriza e energjisë në njërën anë dhe nxjerrja në treg të lirë e 7470 bizneseve të lidhur në tension të mesëm 20,106 kv, bëri që interesi për fotovoltaikët të shënonte rritje të ndjeshme që nga fundi i vitit të shkuar dhe të mbetet i lartë edhe sot.

Përfaqësues të kompanive që zbatojnë projektet fotovoltaike, pohojnë se interesi është trefishuar. Anduel Çekrezi, nga kompania “EuroElektra”, nënvizon se bizneset e kanë parë vetëprodhimin si një mënyrë për të amortizuat disi kostot në kushtet kur çmimet në tregun e lirë janë luhatur mes 35-40 lekë/kWh.

“Kërkesa në raport me një vit më parë është 3-fish më e lartë. Kjo vjen si rrjedhojë e zhvillimeve dhe krizës së energjisë, ku çmimet kanë qenë të larta. Bizneset në treg të lirë janë përballur me çmime që luhaten mes 35-40 lekë/kWh dhe kjo është një kosto e lartë për ta. Kontratat e mëparshme kanë qenë afatshkurtra dhe i kanë parë fotovoltaikët si një mundësi për të reaguar sa më shpejt” pohon ai.

Pak kohë më parë, kompanitë që ofrojnë projektet dhe instalimet fotovoltaike u bashkuan në një kërkesë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke sjellë në vëmendje disa prej problematikave dhe masat që mund të merren për të nxitur vetëprodhuesit. Ndër kërkesat binin në sy ato për bilancin, që kërkohet të kalojë nga mujor në vjetor, si dhe rishikimi për zgjerimin e kapacitetit të lejuar të instalimit, i cili aktualisht është 500 kwp.

Operatorët e tregtimit të paneleve dhe instalimit të tyre pohojnë se kriza globale po prodhon pasoja edhe në lëvrimin në kohë të paneleve.

“Duhet të kuptojmë që kriza energjetike është globale dhe tendenca është e njëjtë për të gjithë vendet. Të gjithë po shkojnë më shumë drejt fotovoltaikëve, gjë që ka nxitur kërkesë të madhe në tregje.

Është një vështirësi që nuk është hasur më parë dhe nga furnitorët është rritur koha e lëvrimit. Nëse më parë, koha e lëvrimit ishte 2 javë, tashmë duhet të bëhet pagesa dhe lëvrimi mund të bëhet pas një apo dy muajsh nga data e porosisë. E gjithë kjo kërkesë, po sjell boshllëk në tregje, pasi shihet si rruga më e shkurtër për të amortizuar efektet e krizës” nënvizon z. Çekrezi.

Duke ju referuar deklaratës së fundit të kryeministrit, ai thekson se është pozitive që më në fund, nga kreu i qeverisë, është përmendur vetë prodhimi si një alternativë që mund të zbusë situatën dhe do të mbështetet, pasi më parë ky proces ishte “tabu” në sektor.

“Mendoj se kjo është diçka pozitive dhe duhet të përshëndetet dhe inkurajohet. Sigurisht mbetet për t’u parë se ku do të fokusohet mbështetja që u deklarua parimisht se do të jetë për familjarët. Mënyra sesi do të nxiten këta të fundit për të rritur investimet e kësaj natyre është me interes” – thekson Çekrezi.

Sipas tij, mbështetja për familjarët që vetëprodhojnë duhet parë në dy aspekte: lehtësimin burokratik dhe atë financiar.

Në aspektin e procedurave, ai nënvizon se është me vend të kalohet me një deklaratë të thjeshtë, pasi sot të njëjtën listë dokumentesh që duhet të hartojë një biznes për kapacitet 500 kWp, duhet të ketë edhe një familjar për kapacitet 5 kWp. Në lidhje me aspektin financiar, formulat që ndiqen janë nga më të ndryshmet, por sipas Çekrezit mund të shihet opsioni për heqjen e taksës për bateritë për akumulatorët, duke e bërë më atraktiv këtë investim.

Kërkesat për energjinë, MIE nge grup pune, raport me propozime në fund të prillit

Kërkesat që janë bërë vazhdimisht nga grupe të ndryshme interesi, të cilat lidhen me energjinë, duket se kanë detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të ngrejë një grup pune që do t’i analizojë dhe do të vlerësojë mundësitë e zgjidhjes.

Në fund të prillit, këtij grupi i është kërkuar që të dalë me një raport me propozime për secilën prej pikave. Por cilat janë çështjet me të cilat është ngarkuar ky grup pune?

Së pari, Grupit Ndërinstitucional të Punës i është kërkuar të trajtojë propozimet e paraqitura nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Së dyti, të evidentojë politikat më të mira sektoriale dhe të përgatisë një raport-propozim lidhur me ndryshimet e nenit 15 “Skemat e matjes neto të energjisë” të ligjit nr. 7.2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjive nga burimet e rinovueshme”.

Së treti, të rishikojë kapacitetin e instaluar të lejuar me ligj nga vetëprodhuesit.

Së katërti, të rishikojë matjen e balancës së energjisë së prodhuar.

Së pesti, çdo masë tjetër lehtësuese dhe problematikë që lind gjatë mbledhjeve të grupit të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat