Shqipëria, vendi i parë në rajon për studentët që largohen

Shqipëria

Shqipëria, vendi i parë në rajon për studentët që largohen

Më: 18 prill 2022 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Drejtues i qendrës së studimeve ekonomike dhe sociale, Ilir Gëdeshi tha se krahasuar me rajonin, Shqipëria mban vendin e parë për studentët që largohen.

Ai u shpreh për Euronews Albania se është kryesisht cilësia e ulët e arsimit që i shtyn të largohen.

Sipas Gëdeshit kjo është diçka e mirë nëse bëhet fjalë për rritjen e kapacitetit dhe cilësisë në arsim sepse studentët që largohen shkojnë në universitete më të mira, por studimet tregojnë se 93 për qind e tyre nuk dëshirojnë të kthehen.

Një tjetër arsye largimi sipas ekspertit është dhe tregu më i gjerë i punës që i pret në Evropë.

“Këtu në Shqipëri ka një problem për ata që përfundojnë studimet këtu, ka një mospërputhje me tregun e punës,” – u shpreh Gëdeshi.

Ndërkohë, vendi evropian që lakmohet më shumë nga studentët së fundmi është Gjermania.

Gëdeshi gjithashtu deklaroi se tkurrja e popullsisë ka ardhur prej disa faktorëve që kanë bashkëvepruar në të njëjtën kohë.

Fertiliteti në ulje ishte një prej tyre. Që ky faktor të ishte në ritmin e duhur, fertiliteti për grua duhet të ishte 2.1 dhe aktualisht është 1.6.

Gëdeshi tha se ritmet e larta të emigracionit janë një tjetër faktor. 30 vitet e fundit emigrimi ka pësuar trend rritës dhe sipas tij, bëhet fjalë për mbi 1.7 milionë shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

INSTAT raporton se popullsia është tkurrur me 1.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Për Gëdeshin kjo është një shifër e lartë duke qenë se dhe tendenca e emigrimit është e lartë.

“Para 2-3 vjetësh ne e matëm këtë fluks emigrimi të popullsisë shqiptare dhe rezulti që 52 për qind e grupmoshës 18 deri në 40 vjeç dëshironte të emigronte,” – u shpreh Gëdeshi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat