Masakrat serbe në Lumë

Shqipëria

Masakrat serbe në Lumë

Nga: Rexhep Shahu Më: 19 prill 2022 Në ora: 10:39
Kopertina e librit

Shkova një ditëfundnëntori të 2021 në Kukës dhe e pashë vendin ku ka qëndruar tre vjet Memoriali i kujtesës kushtuar dy mijë martirëve lumjanë. Pas tre vjeteve, autorietet inferiore të vitit 2021 të bashkisë Kukës e zhdukën atë muranë. E mora me qetësi këtë krim shtetëror, këtë poshtrim që u bëhej martirëve, por dhe mua sepse kam bërë shumë përpjekje e mundim që të ngrihej ai Memorial. Por u trondita edhe për faktin se ku ka ra shteti, në dorë të kujt ka ra qyteti im. Disa gomerë që shiten si kuaj paskan thënë se ky memorial është një grumbull gurësh. Këta njerëz të shëmtuar prej kauçuku janë larg vlerësimeve estetike dhe krejt më larg përmbajtjes etike të monumentit.

I kam ra qark Kukësit për me gjetë vendet ku do të merreshin gurët e zinj për t’i ngjitë tek beton i Memorialit. Doja të ishin gurë nga gjithë fshatrat që kishin të masakruar. Që ata gurë të ishin si pllanga apo copa gjaku të mpiksur të martirëve, të atyre që kishte masakrue Serbia nëpër katunde të ndryshme. Unë e kam përjetue shumë ngritjen e atij Memoriali, e kam ndjerë shumë se vertetë po bënim një punë të shkëqyer për shpirtin e atyre dy mijë njerzve të masakruar. Unë nuk jam besimtar, por ato ditë po besoja se ne po bënim një gjë të shenjtë, një punë të shenjtë e shumë fisnike. Po mendoja se po ia zbardhim faqen vetes tonë, të gjithë njerzve që ishin gjallë në ato ditë dhe gjithë njerzve të vdekur. 105 vjet kishin kaluar dhe asnjëherë nuk ishte ngritë në një vend të dukshëm në qytet një memorial i vogël, një gur varri në kujtim të gjithë të masakruarve nga Serbia.

Kishim ndërtuar lapidare banalë si hundët tona që i mbajmë përpjetë për tu mburrë, i kemi lyer e flliqur më ngjyrë të kuqe a të bardhë. Por nuk ishim treguar fisnikë si popull. Kush nuk nderon viktimat, të pafajshmit, të pamundshmit, nuk është trim, as burrë, as i fortë, as qytetar.

Kam shkue në Topojan duke shikue gurët nëpër lumin Luma e në përrej që të gjeja gurë të zinj që të ngjiteshin në Memorial si pllagat e gjakut të topojanasve. Kam shkue në Ujmisht, kam shkue deri në Shpal duke kontrollue gurët anash Udhës së Kombit. Kam shkue në shumë vende për gurë të zinj. Doja që nga gjithë zonat ku kishin ndodhë masakra të vendoseshin gurë në atë memorial kujtese e nderimi… Doja të merrja gurë edhe tek Ura e Vezirit, aty ku ishin pre nëntë kokat e shqiptarëve që u çuan bukë ushtarëve serbë dhe ata ua prenë kokat bukëdhënësve dhe i vendosën nëntë kokat e shqiptarëve te këmbët e nëntë varreve të ushtarëve të varrosur serbë…

Barbarët janë njëlloj barbarë, disa masakrojnë njerëz, disa masakrojnë varre e disa shenjat e kujtesës së botës. Që krimet serbe të mos shënohen, të mos mbetet gjurmë e krimeve serbe në vendet ku duken. Pati nisë kështu me kundërshtime kjo histori, patën zhdukë së pari dëshminë e Dimitrie Tuceviqit në anglisht, fragmentin Masakrimi në Lumë në anglisht dhe të gjithë heshtën. Asnjë shërbim i shtetit nuk reagoi… E bëra për së dyti atë shkrim në pllakë në anglisht dhe e vendosëm për herë të dytë, por bashkia e Kukesit, tre vjet pasi u ngrit ai Memorial e shkuli, e zhduku, e shfarosi, njëlloj siç Serbia shfarosi e donte të shfaroste shqiptarët.

Teksa rrija e vështroja memorialin e munguar, të zhdukur, që e kisha në sytë e mendjes, përfytyrimi çmendej. Shihja para syve të mendjes time gra e vajza si shtojzavalle që i thernin ushtarët serbë me bajoneta dhe i bënin grumbull xhenazesh. Shihja femijë që i nxirrnin nga barku i grave dhe i mbanin në bajoneta lart. Shihja fëmijë të tmerruar… Më dukej se dëgjoja thirrjet e tyre për ndihmë. Më dukej se aty pranë ishin autoritetet e bashkisë Kukës që qeshnin, zgërdhiheshin e ngroheshin në zjarrin që ishte ndezë prej ushtarëve serbë me djegë kufomat e shqiptarëve të masakruar në Lumë.

Pse u tërbuan serbët dhe nisën të bënin masakra çnjerzore në Lumë? Fuqitë e Mëdha në 1913 i ripërcaktuan kufijtë e shteteve të Ballkanit duke i shpërblyer për agresionin e tyre. U caktua gjithashtu për herë të parë kufiri shtetëror i Shqipërisë së pavarur, ky kufi që ka ende sot Republika e Shqipërisë. Kosova mbeti nën Serbi. Por Serbia donte edhe Lumën pa lumjanë, donte që kufiri i saj, të paktën, të vinte deri në Drinin e Zi.

Kujtoj në ato kohë shprehjen e famshme të d’Estournelles De Constant, Sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve në Veri të Shqiperisë, Senator i Francës, Nobelist i Paqes i vitit 1909, i cili pati shkruar se “me një të rënë të lapsit ne e katërfishuam Malin e Zi në dëm të Shqipërisë…”.

Këtë shprehje ai e ka thënë në parathënin e librit të famshëm “Shqipëria në 1921” të Justin Godart, parathënie që unë e kam botue edhe libër më vete me titullin që e ka vu vetë d”Estournelles “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë”.

“Unë i kam shumë borxh Shqipërisë”, thotë ai fisnik francez, që është kumabara i pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, duke shprehur ndjesën e tij të thellë, thotë kështu sepse me një të rënë të lapsit e kishin katërfishuar Malin e Zi duke i dhënë toka të Shqipërisë, duke bërë padrejtësi historike.

Serbët, ngaqë nuk kishte mbetë Luma si pjesë e Serbisë, deshën ta shfarosnin. Edhe për të ndëshkuar kryengritjen e saj në shtator të vitit 1913. Edhe për të marrë hak në një farë mënyre për mundjen që kishin pësuar në Lumë në nëntor 1912 ata i shtuan masakrat e reprezaljet ushtarake ndaj civilëve. Natyrisht duke treguar edhe dobësinë e karakterit të tyre njerzor, ndaj të dobëtëve ata tregohen më të dhunshëm, të fortëve u lëpijnë këpucët me gjuhë.

Diplomatët e konsujt e huaj si Kohlruss, etj., raportonin për qendrat e tyre, nga Prizreni se Serbia nuk do t’i njohë as t’i pranojë kufijtë e 1913 që kanë caktuar Fuqitë e Mëdha. Dhe që ta bëjë tokë të djegur, teritor të shkretë, Serbia e masakroi Lumën në vjeshtë 1913 edhe nga presioni i Fuqive të Mëdha që e detyronin të largohej urgjent nga Luma. Dhe ata po largoheshin duke lënë tokë djerrë, duke masakruar civilë e duke i djegë me zhdukë gjurmët e krimeve monstruoze.

Korrespondentët e gazetave serbe dhe autoritetet shtetërore në Serbi “e konsiderojnë detyrë nacionale fshehjen e krimeve të autoriteteve tona të pushtetit dhe të ushtrisë e mashtrimin e popullit në Serbi”, shkruante Dimitrije Tuceviq në pamfletin e tij të famshëm “Masakrimi në Lumë”. Dhe aty ai tregon më tej për makthin serb të zhdukjes së gjurmëve të krimeve serbe “…kufomat u futën në shtëpi e shtëpitë u dogjën - që krimit t'i fshihej gjurma.”

Duket se përveç serbëve që e konsiderojnë detyrë nacionale fshehjen e krimeve serbe të autoriteteve dhe të ushtrisë së tyre, edhe autoritetet shqiptare të Shqipërise e kanë konsideruar ndoshta detyrë internacionale të fshehin e të zhdukin gjurmët e krimeve serbe që të ruajnë miqësinë me shtetin serb. Këtë miqësi e ka patur të shenjtë Envr Hoxha e duket se është gjallëruar dekadën e fundit.

Masakrat me të mëdha masive serbe kundër shqiptarëve kanë ndodhë në rajonin e Kumanovës, Shkupit e Lumës, në fillim të shekullit të 20 në vitet 1912-1913, masakra të shënuara e të dëshmuara para botës nga konsuj, gazetarë e politikanë të ndryshëm. Dëshmitarë dhe akuzatorë të mëdhej janë austriaku hebre Leon Freundlich, i cili i tregoi botës krimet masive serbe dhe shënoi se holokausti i parë në Europë ka ndodhë ndaj shqiptarëve prej serbëve në Kumanovë, Shkup e Lumë. Dëshmitar tjetër i madh ishte Leon Trocki, korrespondent i Ballkanit që atëherë raportonte për shtypin rus nga Kumanova e Shkupi në 1912. Avokat i madh i shqiptarëve ishte në 1913 Dimitrije Tuceviq që veç shkrimeve të tjera denoncuese e akuzuese botoi pamfletin e tmerrshëm “Masakrimi në Lumë” ku tregoi tmerre serbe kundër lumjanëve, ku brenda dy orëve zhdukeshin nga bajonetat serbe mbi 500 shpirtra, gra, fëmijë, pleq, ndërsa oficerët serb frynin bulçitë si gica: “Të gjithë a?!… Po, po të gjithë!”…

Edhe në Luftën e dytë Botërore u masakruan prej serbëve mijëra shqiptarë të Kosovës, mijëra të tjerë pas lufte u masakruan në Tivar. Derisa vijmë në kohët moderne ku 23 vjet më parë kulmon masakra serbe në Reçak, masakër, që tregoi fytyrën prej përbindëshi të regjimit serb të Milosheviqit. Masakra e Reçakut u pa nga gjithë globi, sepse ambasadori i OSCE amerikani Ëilliam Ëalker dëshmoi para globit duke qenë i pranishëm pranë të masakruarve me gazetarë nga gjithë bota.

Shqiptarët nuk i kanë nderuar ata që na i ka masakruar Serbia, por kanë tentuar të nderojnë ata që kanë luftuar kundër Serbisë. Ndaj përgjithësisht sot nuk dihen emrat e të masakruarve nga Serbia, na ka ardhë turp dhe nuk i kemi shënuar as nderuar me kujtesë a me një shenjë a një gur varri viktimat e të masakruarve nga Serbia. Masakra e Reçakut është e fotografuar e filmuar, e dëshmuar dhe serbët duan ta mohojnë, se ata kanë mision kombëtar të fshehin e zhdukin gjurmët e krimeve serbe kundër shqiptarëve.

Një nga shqetësimet e mëdha të dokumentuara nga qarqet europiane është frymëzimi fetar islamik që u bë nga Serbia ndër shqiptarët që të zhdukeshin varret, të rriheshin varret e vjetra, të rrafshohesin dhe mbi varret e vjetra të bëheshin të reja. E gjitha kjo për të fshirë e zhdukur gjurmët e krimeve serbe sidomos në hapsirën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat