Rama piu ujë nga çezma, Kraja: Bashkia e Tiranës e blen për punonjësit

Shqipëria

Rama piu ujë nga çezma, Kraja: Bashkia e Tiranës e blen për punonjësit

Më: 24 prill 2022 Në ora: 22:18
Akil Kraja

Qeveria parashikon të marrë 80 mln euro kredi për Ujësjellësin e ri të Tiranës përmes së cilës Bashkia pretendon që të realizojë më në fund premtimin 24 orë ujë në ditë dhe dërgimin me presion në çdo kat të pallateve ndryshe nga ç’ndodh aktualisht që uji shkon deri në depozitat e kateve të para.

Akil Kraja, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranë në një intervistë për Ora Neës me gazetarin Arnol Kariqi thotë se një investim i tillë është i mirëpritur për qytetin por problemi qëndron te mungesa e transparencës dhe keqmenaxhimit nga UKT.

Kraja: Qyteti ka nevojë të ketë ujë 24 orë. Çështja është transparenca, kapaciteti menaxherial i UKT dhe bashkisë Tiranë për të ofruar një shërbim i cili është konform shpenzimeve, të ardhurave, fitimeve të Ujësjellësit Tiranë. Çdo vit UKT xhiron 33 mln euro, para që qytetarët e Tiranës i paguajnë për të pasur këtë shërbim që është diku 14 orë në ditë. Nga kjo vlerë 2.9 mln euro janë fitim. UKT vetë nuk arrin të investojë 2.9 mln euro. Sikur të kishte plan investimesh nuk do të kishte asnjë fitim. Kam një lajm të keq, çmimi i ujit do të rritet sërish. Nëse u rrit me 40% para disa vitesh do të rritet përsëri me një përqindje ende të papërcaktuar.

Kjo përcaktohet në termat strategjikë të kredisë që po kërkohet aktualisht nga bashkia Tiranë dhe qeveria shqiptare. Lajm i mirë se parimisht duhet të ketë një investim për Shqipërinë, është një lajm i keq sepse bëhet nga një bashki e cila e keqmenaxhon këtë resurs jetik për qytetin e Tiranës. Nga 10 litra që prodhohen nga UKT, 6 humbasin, nuk faturohen. Qytetarët e Tiranës po e paguajnë shtrenjtë ujin se ka keqmenaxhim. Po marrim një kredi 80 mln euro për të mbuluar një gropë keqmenaxhimi. Është një megaaferë e radhës. Para disa vitesh është përfolur për një privatizim të UKT. Kjo nuk ndodhi por etja për pushtet vazhdon.

Kraja thekson se duhet transparencë që kjo kredi  80 mln euro me fonde europiane por që do të paguhet nga taksat e qytetarëve të Tiranës të mos përfundojë si skandali 450 mln euro i incineratorit të Tiranës.

E ndërsa kryeministri Rama u shfaq duke konsumuar ujin në banesën e tij, Kraja sjell në vëmendje tenderin e bashkisë së Tiranës për të blerë ujë për punonjësit e saj.

Kraja: Bashkia Tiranë bëri një tender për ujin e pijshëm për punonjësit e saj. Vetë stafi i bashkisë Tiranë nuk e konsumon ujin në mjediset e saj. Ja ku është hipokrizia e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat