Shërbim online edhe në ditë pushimi

Shqipëria

Shërbim online edhe në ditë pushimi

Më: 1 maj 2022 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Me zëvendësimin e sporteleve me E-Albania, nga ky 1 maj çdo dokument që mban vulën e institucioneve shtetërore do të përfitohet elektronikisht.

Kalimi nga shërbimet fizike në atë digjitale shkurton kohë dhe para. Tanimë 95 për qind e tyre nga përfitimi i dokumentit më të zakonshëm e deri te më i ndërlikuari, ai që ndërthur punën e disa institucioneve njëherësh, aty ku edhe ryshfeti ishte kthyer në zakon, do të jenë vetëm online.

Një nga lehtësitë që ofron shërbimi online është se në çdo ditë të javës ju mund të merrnin dokumentet e kërkuara. Nuk ka rëndësi nëse është e shtunë apo e diel apo një festë zyrtare, unë sot edhe pse e diel pushim mora certifikatën time personale.

Nëse kjo certifikatë do të më duhej të hënën, do të ishte e pamundur të merrja. Madje do të më duhej të prisja dy ditë, deri të mërkurën kur gjendja civile të hapej, pasi për shkak të festave zyrtare është e mbyllur.

Me zëvendësimin e shërbimit fizik me atë digjital, kjo pengesë bie dhe çdo dokument e gjeneron në ditën dhe orën kur të nevojitet.
Me mbylljen e sporteleve, aty ku njerëzit përplaseshin për çdo dokument dhe pyetje që kishin, qoftë për procedurat për dalje në pension, mbetet për t’u identifikuar pengesa që do të sjellë teknologjia te më të vjetrit.

Deri vitin e ardhshëm me futjen si shërbim edhe të asistentit digjital, pra të paturit e sportelistit jo fizikisht por përmes telefonit, të moshuarit që teknologjinë e përdorin kryesisht për telefonata do të duhet t’i ndihmojnë fëmijët.
Pesë përqindëshi i shërbimeve që do të mbajë hapur sportelet do të jetë vetëm për aplikimet për dokumente identifikimi, regjistrim të të sapolindurve, vdekurve apo celebrimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat